Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca pret në takim një delegacion amerikan, pajtohen për zgjerim të bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci, të Kongresit të ShBA-së.

Sipas një njoftimi për media të Kuvendit, në këtë takim janë shkëmbyer pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit në mes të këtij Komisioni dhe Kuvendit, siç theksohet me fokus në mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.

Konjufca thuhet se i ka njoftuar ata në lidhje me efikasitetin e punës së Kuvendit dhe trupave të tij.

“Kryetari i Kuvendit ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t'i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura”, thuhet në njoftim.

Konjufca dhe delegacioni amerikan thuhet se janë pajtuar për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës.​