Arbëri

Konjufca falënderon kongresistin Torres për përkrahjen ndaj Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vijuar vizitën e tij zyrtare në Uashington të Shteteve të Bashkuara, me takime me anëtarë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Në kuadër të këtyre takimeve, Konjufca është pritur nga kongresisti Ritchie Torres të mërkurën, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë - SHBA, zhvillimet politike në shtetin tonë dhe mbështetjen amerikane për proceset euroatlantike të Republikës së Kosovës.

“Kryetari Glauk Konjufca ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të kongresistit Torres ndaj Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e tij në forcimin e miqësisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e zyrës së Konjufcës.

Konjufca dje u takua me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga i cili mori garanci se nuk do të ketë asociacion që cenon sovranitetin e Kosovës.

U takua edhe me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.