Arbëri

Konjufca merr garanci nga Escobari se s’do të ketë Asociacion që cenon sovranitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka takuar përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Në takimin, të cilin e ka quajtur përmbajtjesor, Konjufca ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe Marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka shkruar se kanë ndarë pikëpamje të njëjta që të vazhdojnë të punojnë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Në këtë takim Konjufca është shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington, Ilir Dugolli dhe shefi i stafit, Ilir Kërçeli.