Arbëri

Konjufca pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut: Drejtësia duhet të veprojë për të gjithë

konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se drejtësia duhet të veprojë në çdo rast që ka dyshime për keqpërdorime, pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Duke iu referuar deklaratave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që sulmuan Prokurorinë pas arrestimit të Krasniqit, Konjufca ka thënë se ka zëra kritikë se drejtësia po punon në mënyrë selektive.

“Për çkado që ka fakte dhe argumente, drejtësia duhet të veprojë. Nuk kam koment të tjera në këtë drejtim. Vërejtja e njerëzve është se duhet të veprojë në mënyrë joselektive, duhet të veproj për të gjithë. Shumë kritikë të këtyre veprimeve po thonë. Pse ti mendon se drejtësia duhet me qenë selektive? Drejtësia duhet të jetë universale”, ka thënë ai.

Prokuroria Speciale të mërkurën ka njoftuar se është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai, sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Kjo nuk u ka pëlqyer deputetëve të VV-së, Halil Thaçi, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi e Adnan Rrustemi, të cilët kanë sulmuar Prokurorinë, duke thënë se kjo është hakmarrje e Blerim Isufajt që nuk po bëhet Kryeprokuror.