Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca e falënderon Greqinë për avancim të bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në takim lamtumirës shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Chryssoula Aliferi, të cilën e ka falënderuar për punën e bërë.

Konjufca ka falënderuar Aliferin për rolin e saj përgjatë mandatit si shefe e Zyrës Greke në avancimin e bashkëpunimit bilateral në projekte dhe fusha me interes të përbashkët, njoftoi Zyra e Kuvendit.

Ai po ashtu, raportohet se ka theksuar rëndësinë që do të kishte njohja nga ana e shtetit grek për integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

Në njoftim më tej thuhet se gjatë këtij takimi është shprehur gatishmëria e dyanshme për thellimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë.