Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Lituania mund të kontribuojë në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur të enjten në takim ambasadorin jorezident të Lituanisë në Kosovë, Eduardas Borisovas, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe aspiratat euro-atlantike të saj.

Në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi, thuhet se në këtë takim Konjufca ka theksuar se përvoja lituaneze në fushën e integrimit euro-atlantik është e mirëseardhur për Kosovën.

“Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit theksoi se Lituania mund të kontribuojë në shumë fusha të zhvillimit të brendshëm e gjithashtu edhe në procesin e konsolidimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, nëpërmjet anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në proceset integruese euro-atlantike”, thuhet më tej në njoftim.

Tutje thuhet se Konjufca dhe Borisovasi janë pajtuar se nevojitet thellim i bashkëpunimit ndërshtetëror, veçanërisht midis dy parlamenteve.