Ndonëse në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore, e cila ofron garanci për të drejtat e njeriut, komuniteti LGBT thotë se të drejtat e tyre vazhdojnë të shkelen në përditshmëri, raporton KTV.
Të pakënaqur me refuzimin e kërkesës së Blert Morinës për njohjen e identitetit të tij gjinor në dokumentet e identifikimit, një grup qytetarësh dhe pjesëtarë të këtij komuniteti janë tubuar para Gjykatës Kushtetuese.
Morina ka kërkuar nga Kushtetuesja shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Agjencisë për Regjistrim Civil, me të cilin është refuzuar kërkesa e tij për ndryshimin e emrit dhe gjinisë.
Nga Qendra Artpolis kanë thënë se rasti në fjalë është shkelje e të drejtave të njeriut për privatësi dhe mosrespektim i obligimeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Në Gjykatën Kushtetuese kanë konfirmuar se kërkesa është parashtruar më 30 korrik të këtij viti.
Zëdhënësi Veton Dula ka thënë se kërkesa do të procedohet dhe do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës se pse i është refuzuar kërkesa për ndërrimin e emrit dhe gjinisë Blert Morinës.