Arbëri

Komunitetet në Plemetin përballen me mungesë të ujit të pijshëm

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani!, përkrahur nga WB Media for Change

Komunitetet joshumicë që jetojnë në Plemetin të Obiliqit përballen me mungesë të përditshme të ujit të pijshëm dhe me kushte të rënda jetese. Ata ankohen edhe për anashkalim në përfitimin nga subvencionimi për ndërtimin e shtëpive. Në Komunë i numëruan investimet e bëra ndër vite në fshat, e në Qeveri paralajmëruan se gjatë vitit do t’u ndërtohen shtëpi 2 familjeve në nevojë

Çezmën e sallës sportive në Plemetin, Elham Halili e përdor përditë për t’u siguruar ujë 9 anëtarëve të tjerë të familjes së tij. I riu, pjesëtar i komuniteteve joshumicë në këtë fshat të Obiliqit, thotë se këtë detyrohet ta bëjë pasi në banesën kolektive ku jeton, nuk ka ujë të pijshëm.

“Kushtet janë shumë të këqija që të jetojmë këtu, sidomos nuk kemi ujë të pijshëm. Jemi 10 anëtarë, është shumë ngushtë me jetuar të gjithë bashkë, një dhomë, një kuzhinë”, ka thënë ai.

Krahas mungesës së ujit, ankesa ka edhe për kushte të rënda infrastrukturore.

Bajrush Berisha, përfaqësues i komuniteteve joshumicë në Plemetin, thotë se shumë familje nuk janë shpallur përfitues të subvencionimit për ndërtim të shtëpive, ani se i kanë përmbushur kriteret.

“Kushtet janë mjaft të vështira duke filluar nga papunësia, ambienti jo i pastër, pastaj ujë të bollshëm të pijes jo. Kushtet e higjienës nuk janë të mira shkaku i numrit të lartë të personave që jemi këtu dhe nuk është pastër. Kanë qenë tenderët ata që kanë tokë me i ndërtuar shtëpi, këtu janë 18 familje që ble tokë në këto kushte dhe kur kanë aplikuar nuk kanë përfituar edhe pse i kanë plotësuar të gjitha kushtet”, ka thënë ai.

E banori Avni Berisha ankohet se për ndërtimin e shtëpive janë favorizuar qytetarët serbë.

“Shkojnë u ndërtojnë shtëpi atyre që i kanë nga dy shtëpi e ne që kemi nevojë për shtëpi nuk na ndërtojnë... Për çfarë arsye nuk mundem me ditë”, ka thënë Berisha

Por Sllavisha Jakovleviq, nënkryetar për Komunitete në Komunën e Obiliqit, thekson se trajtimi është i barabartë për të gjitha komunitetet.

“Fshati Plemetin në komunën e Obiliqit është një fshat ku jetojnë pjesëtarët e të gjitha komuniteteve. Kemi me përkatësi të komunitetit shqiptar, serb, rom, ashkali, egjiptian dhe kemi edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera. Më duhet t’ju them që ne kurrë nuk kemi shikuar se ku do të investojmë para dhe kurrë këtë nuk e kemi ndarë. Kemi investuar shumë në projekte infrastrukturore. Kemi bërë projektin e fundit, e ai është parkingu përpara shkollave fillore ku procesi mësimor po zhvillohet sipas sistemit shqiptar dhe atij serb”, ka thënë ai.

Që kushtet për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Plemetin të përmirësohen, Ferdane Asllani, drejtoreshë ekzekutive në organizatën “Balkan Sunfloëer Kosova” që avokon për të drejtat e komunitetit joshumicë, thotë se Qeveria duhet të punojë më shumë.

“Ka nevojë shumë për ndryshime, ndoshta duhet me ndërmarrë diçka Qeveria në atë pjesë, pra jo ndërtesa por me qenë shtëpi, për shkak se ata merren me riciklim dhe jetojnë prej riciklimit, kështu që ato detyrohen t’i bartin nëpër ballkonet e tyre dhe normal që i jep një pamje jo të mirë edhe ndërtesës” , ka thënë ajo.

Elizabeth Goëing, këshilltare e kryeministrit për çështje të komuniteteve, i numëroi investimet që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka bërë në Plemetin.

“Gjatë vitit të kaluar më shumë se 50 shtëpi janë ndërtuar nga MAPL dhe gjithashtu edhe këtë vit edhe 50 ose më shumë, por edhe projektet që ndërlidhen me rrugët, me ndriçimin, ujërat e zeza dhe pikërisht në Plemetin, MAPL ka investuar për ujërat e zeza”, ka thënë ajo.

Zyrtarë të Ministrisë për Komunitete e Kthim, thanë për KOHËN se për sivjet është i planifikuar ndërtimi i shtëpive për 2 familje në Plemetin dhe se projekti pritet të përfundojë në fund të vitit.