Arbëri

Komunat optimiste se sot u dalin pagat mësimdhënësve

Dy persona janë ndaluar nën dyshimin për tërheqjen e 95 mijë eurove nga llogaria e një personi tjetër

Pagat e mësimdhënësve mund të procedohet gjatë ditës së premte, 7 tetor, nëse rikonfirmohen listat e pagave të cilat Ministria e Financave i ka kërkuar nga organizatat buxhetore.

Komunat janë optimiste se sot do të ndodhë një gjë e tillë, raportoi KOHA.

“Jam shumë optimist që sot do të ekzekutohen pagat dhe që do ketë gëzime në familjet e mësimdhënësve”, ka thënë drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili pa sqaruar shumë shtoi se komunat do të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi, kur u pyet për dorëzimin e listave të kërkuara.

Ministria e Financave të premten njoftoi se ka kërkuar t’i rikonfirmojë listat e pagave duke marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që parasheh zëvendësimin e orëve të muajit shtator.

Megjithatë, është bërë e qartë se nëse nuk dërgohen listat, do të veprohet sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

“Organizatat buxhetore (OB) duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, është zhvilluar interpelanca me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, në Kuvendin e Kosovës lidhur me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve. Opozita ka kërkuar që të bëhet procedimi i menjëhershëm i tyre, ndërkaq Murati është përgjigjur se askush nuk mund të paguhet pa punuar.