Zyrtarët e lartë qeveritarë dhe diplomatët evropianë, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, kanë dorëzuar 37 kamionë për grumbullimin e mbeturinave për komunat përfituese në kuadër të skemës Gara për Mjedis të Pastër dhe Granti i Performancës Komunale – Mjedisi i Pastër. Me këtë rast nga zyrtarët qeveritarë është pranuar se menaxhimi i mbeturinave nuk është në nivelin e duhur.
Menaxhimi i mbeturinave urbane është njëra prej sfidave kryesore për komunat dhe nivelin qendror, prandaj edhe ekonomia qarkore është prioriteti kryesor i tyre kur bëhet fjalë për mjedisin, është thënë të martën në Prizren gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të 37 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave.
Këto mjete janë shpërndarë për komunat përfituese në kuadër të skemës, “Gara për Mjedis të Pastër dhe Granti i Performancës Komunale – Mjedisi i Pastër”, të mbështetura nga Qeveria Gjermane, BE-ja dhe Qeveria e Kosovës.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka theksuar se në Kosovë ekzistojnë shumë deponi, për shkak se mbeturinat nuk riciklohen, për të cilin proces duhet të ndërtohet një sistem i tërë.
“Detyrë e jona si Qeveri është që të krijojmë mekanizma, në të cilat do të mund të krijoheshin qendra të riciklimit gjithandej nëpër regjione, ku mbeturinat që ndahen të kenë ku të shkojnë”, ka thënë Aliu.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pranuar se menaxhimi i mbeturinave nuk është në nivelin e duhur.
të vetëdijshëm që duhet të tregojmë si Qeveri një vizion për menaxhimin e integruar të mbeturinave, gjë që do të kombinonte një sërë strategjish e politikash si për menaxhimin e mbeturinave ashtu edhe për reduktimin e tyre”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka pohuar se bashkëpunimi duhet të sjellë zgjidhje më të mira për menaxhimin e mbeturinave.
“Tani është shumë moment i mirë, që ky seriozitet nga niveli qendror, përkushtimi i nivelit lokal dhe krejt donatorëve, që të diskutojmë, të gjithë së bashku të gjejmë zgjidhje se si të rritet niveli i mbledhjes së mbeturinave dhe qytetarët të kenë shërbime më të mira”, është shprehur Krasniqi.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka shprehur bindjen se dorëzimi i 37 kamionëve dhe mjeteve për grumbullimin e mbeturinave do të mbështesë modernizimin e menaxhimit të mbeturinave për mbi 17 komuna.
i sotshëm është dëshmi e qartë e angazhimit të juaj të suksesshëm, për të vënë nën kontroll situatën me mbeturinat në komunat tuaja. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës po e tregon përkushtimin e saj që agjendën e gjelbër ta kthejë në realitet”, ka thënë ai.
Ndërsa Luigi Brusa nga Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë thirrje që këto mjete të përdoren në bashkëpunim me komunitetin.
“Tani, detyra e shfrytëzimit më të mirë të mjeteve në dispozicion është në duart e administratës lokale, komunat, kompanitë rajonale. Çka është me rëndësi është që ju do t’i shfrytëzoni më së miri këto mjete në bashkëpunim me popullatën, pra tani duhet të ketë fushatë vetëdijesuese”, ka theksuar Brusa.
Pranimi i kamionëve për grumbullimin e mbeturinave është vlerësuar nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
“Për neve është shumë me rëndësi, pretendojmë me qenë komuna më e pastër dhe jemi. Do ta rrisim numrin e punëtorëve në ‘Ekoregjion’ edhe do të mundohemi që në të ardhmen të fillojmë me riciklimin e mbeturinave për herë të parë në Kosovë”, ka deklaruar Muharremaj.