Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komunat e Kosovës përfitojnë 37 kamionë për mbeturina grant

23 komuna të Kosovës janë përfituese të 37 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, të bashkëfinancuara nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania.

Ky projekt zbatohet në kuadër të skemës “Gara për Mjedis të Pastër dhe Granti i Performancës Komunale”, ndërsa shuma totale e këtij granti arrin në 10.4 milionë euro.

Që nga viti 2017, ky grant ka stimuluar komunat për një mjedis më të pastër.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se detyrë e përgjegjësi e Qeverisë është krijimi i kushteve për riciklim të mbeturinave.

“Ekonomia qarkore është në numër të njëjtë kur kemi të bëjmë me mjedisin. Ne synojmë që në vendin tonë të kemi sa më pak mbeturina të cilat mbesin pa u ripërdorur, të ketë më pak mbeturina të cilat mbesin pa u ricikluar dhe rrjedhimisht të krijojmë mekanizma të cilat një pjesë të madhe të këtyre mbetjeve t’i eliminojmë nga deponitë tona. Ne kemi shumë deponi të cilat nuk riciklojnë dhe për të ricikluar nuk është shumë e lehtë por duhet një sistem i tërë”, tha Aliu. /EO