Arbëri

Komunat kundër vendimit të Qeverisë për pronat e AKP-së, “ishte i ngutshëm”

Komunat në Kosovë po kundërshtojnë shfuqizimin e vendimeve të ish-Qeverisë Haradinaj për dhënien në shfrytëzim të pronave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Komunat të cilat tashmë kanë shfrytëzuar pronat dhe kanë investuar në to, e shohin të pakuptimtë që tash të shfuqizohet vendimi që ia mundësoi ato.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se vendimi i Qeverisë është arbitrar.

“Kemi investime marramendëse, milionëshe në këto prona që janë mjete të taksapaguesve kosovarë. Disa kryetarë kanë kërkuar këto prona për varreza të qytetit sepse ka mungesë të pronave komunale që shfrytëzohen për varreza. Nëse fillojmë që Qeveria në të ardhmen t’i rrëzojë vendimet e kësaj qeverie për një interes të publikut, nuk do të jetë mirë. Ky vendim mendojmë se është marrë në mënyrë arbitrare, pa konsulta me komunat”, tha ai.

Ibrahimi tregoi se Komuna e Gjilanit ka dashur t’i shfrytëzojë këto prona për varreza.

Kurse, përgjigjen e këshilltares ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Tea Blakaj, se për ta zbatuar ligjin e ri është dashur të shfuqizohen vendimet e mëparshme, e quajti qesharake.

“Në Junik i kanë marrë dy prona, një afër 20 hektarë ku kryetari thotë se e ka të ndërtuar objektin për kulturë dhe agroturizëm, investimi ka qenë aty rreth 800 mijë euro. Te përgjigja e zyrës së kryeministrit mund të konstatoj se është përgjigje qesharake, përgjigje naive dhe personi apo zyrtarët që e kanë dhënë nuk e dinë ligjin aktual për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe ligjin që është amandamentuar”.

Sipas tij, nuk ka pasur konsultim fare me komunat për t’u marrë ky vendim.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se arsyetimi i Qeverisë për shfuqizimin e vendimit nuk qëndron.

“Jam i bindur se ky arsyetim i qeverisë nuk ekziston. Ligji për dhënien në shfrytëzim të pronave na ka dhënë të drejtë ne për t’i shfrytëzuar ato. Ligji që është miratuar tash nuk bie në kundërshtim me asnjë rrethanë sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronave. Kemi qenë duke bë përpjekje, kemi kërkuar që të bëhet vlerësimi dhe kemi dhënë zotimin tonë që jemi në gjendje ta paguajmë 20% e kësaj vlere që këto prona të kalojnë si prona të komunës”.

Ramosaj u shpreh se ndaj këtij vendimi do të ndjekim procedurat ligjore.

“Për ne nuk qëndron ky arsyetim dhe ne do ndjekim procedurat dhe rrethanat ligjore. Sa i përket procesit të privatizimit nga AKP-ja, nuk ka ndodhë në asnjë rrethanë që të privatizohet ndonjë pronë ku nuk është lajmëruar komuna”.

Kurse, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se shpreson që vendimi të rishqyrtohet, ndërsa e quajti vendim të ngutshëm të marrë nga Qeveria e Kosovës.

“Vendimi nuk ishte i pëlqyeshëm dhe vendim i ngutshëm sepse nuk pati koordinim me kryetarët, me mua edhe pse unë kisha një takim më ministrin e MAPL, por nuk kishte vendim që do t’u kthehen këto prona AKP-së. Këto prona janë të gjitha në interes të qytetarëve, pavarësisht se ministri apo kryeministri është ngutë”.

Edhe ai thotë se do të ndjekë procedurat ligjore ndaj vendimit të fundit të qeverisë.

“Ne do të mundohemi që në të gjitha kategoritë, shkallët ligjore t’i ndjekim dhe të kërkojmë që të na mundësohet. Nuk po bëjmë diçka që është interes i kryetarëve, por i qytetarëve”.