Me arsyetimin se ai ishte i jashtëligjshëm, Qeveria Kurti e shfuqizoi vendimin e Qeverisë Haradinaj për dhënien e disa pronave të AKP-së për shfrytëzim te komunat. Kësisoj, vendosi që ato t’ia kthejë Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Por, edhe ekzekutivi aktual konsiderohet se gaboi në dy prej shtatë komunave të cilat preken nga vendimi që mori tri javë më parë. Pronat e njërës Komunë nuk i kanë takuar asnjëherë AKP-së e pronat e tjetrës u shfrytëzuan në mënyrë të ligjshme
Duke anuluar një vendim të Qeverisë Haradinaj, qeveria aktuale e udhëhequr nga Albin Kurti, vendosi gabimisht që disa prona të Komunës së Hanit të Elezit dhe të Suharekës t’i kthente tek Agjencia Kosovare e Privatizimit. Pronat e njërës komunë nuk i kanë takuar asnjëherë AKP-së e pronat e tjetrës u shfrytëzuan në mënyrë të ligjshme.
Më 2018, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që disa komunave t’ua jepte për shfrytëzim disa prona që i takonin AKP-së. Por, meqë për bartjen e disa prej këtyre pronave nuk kishin përfunduar procedurat midis Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe AKP-së, Qeveria Kurti e shfuqizoi vendimin me arsyetimin se ai ishte i jashtëligjshëm.
Por, në mesin e pronave të AKP-së që po shfrytëzoheshin nga Komunat e që duhet t’i kthehen Agjencisë, nuk do të duhej të ishin ato të Hanit të Elezit. Përveç nga kjo Komunë, edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e kanë konfirmuar se këto prona nuk kanë qenë asnjëherë të sajat.
“Kjo pronë nuk është regjistrin e pronave që administrohen nga AKP”, kanë thënë në Agjenci.
Ditë më parë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal patën thënë për KOHËN se do ta shqyrtojnë çështjen për të parë nëse kanë marrë vendim të gabuar. As katër ditë më vonë, edhe pse Ministria ia ka pohuar Komunës së Hanit të Elezit se kanë gabuar, nuk është marrë vendimi për anulim.
Por, kjo nuk është komuna e vetme që duket se është vendosur arbitrarisht në mesin e komunave që duhet t’ia kthejnë pronën AKP-së. Kontestuese është edhe prona e Komunës së Suharekës. Ajo është në mesin e shtatë komunave, pronat e të cilave, ekzekutivi vendosi t’i ktheheshin AKP-së, meqë sipas MAPL-së, dhënia e tyre nga Qeveria Haradinaj ishte bërë pa aprovim të Agjencisë së Privatizimit.
“Anulimi i vendimeve për aprovimin e kërkesave të komunave është bërë duke pasur parasysh se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka aprovuar kërkesat e ministrisë për bartjen e pronave në komuna”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë.
Por, ndryshe thotë AKP-ja. Sipas saj, për pronat në Suharekë, kanë dhënë miratim për shfrytëzim.
“Nga të gjitha pronat, për të cilat Qeveria i ka shfuqizuar vendimet më 30.04.2022, vetëm për Komunën e Suharekës, përkatësisht lidhur me vendimin nr. 07/55, AKP ka dhënë aprovim për lejimin e zhvillimit të projektit kapital me interes të përgjithshëm. Sa u përket komunave të tjera, AKP-ja nuk ka dhënë asnjë lloj pëlqimi/aprovimi për shfrytëzim apo bartje në emër të komunave respektive”, është thënë në përgjigjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Në sqarimin e Komunës së Hanit të Elezit disa ditë më parë ishte thënë se pronat që kanë qenë duke i shfrytëzuar kanë qenë prona të ish-Sekretariatit të Mbrojtjes, të ish-Jugosllavisë të cilat i kanë shfrytëzuar që nga paslufta. Më 2016, ato prona i kanë fituar me vendim të Gjykatës Supreme pas një kontesti gjyqësor që kanë pasur por, meqë nuk i kanë regjistruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me vendim të kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa, ato janë regjistruar si prona të Qeverisë e jo të AKP-së. E këto prona, dy vjet më vonë, me vendim të Qeverisë Haradinaj i janë dhënë sërish për shfrytëzim afatgjatë Komunës së Hanit të Elezit.
Në Komunën e Suharekës kanë bërë të ditur se ndaj vendimit të Qeverisë kanë paraqitur ankesë dhe se ndaj tij do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore.
Në Komunat që janë përfshirë në vendimin e Qeverisë, tashmë janë investuar projekte milionëshe, me të cilat ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Të përfshira janë Komuna e Hanit të Elezit, ajo e Suharekës, Ferizajt, Gjilanit, Skenderajt, Junikut e Deçanit. MAPL-ja e AKP-ja kanë thënë se për këto raste do të gjendet një zgjidhje e favorshme.