Arbëri

Disa projekte në gjashtë komuna mbeten të pezulluara, pas një vendimi të Qeverisë

Në gjashtë komuna janë pezulluar punimet në pronat të cilat, pesë muaj më parë, Qeveria ia riktheu AKP-së, nën arsyetimin se dhënia e tyre në shfrytëzim ishte e jashtëligjshme. Në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se qytetarët janë ata që po i vuajnë pasojat e vendimmarrjes.

Prej pesë muajsh ka mbetur pezull realizmi i një numri projektesh në gjashtë komuna.

Projektet janë nisur në prona të AKP-së që u ishin dhënë për shfrytëzim komunave, por për të cilat në maj të këtij viti Qeveria vendosi që t’i kthehen sërish AKP-së, nën arsyetimin se kalimi ishte bërë pa bazë ligjore.

Në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se pasojat e kësaj janë duke i vuajtur qytetarët

“Çdo investim në këto prona ka pasur të jetë në shërbim të interesit publik dhe çdo pengesë sa u përket këtyre investimeve shkon në dëm të qytetarit. Përkundër takimeve të cilat kryetarët i kanë pasur me ministritë e dikastereve të ndryshme, problemi ende nuk është zgjidhur dhe vazhdon që punimet të mbahen pezull edhe ku ka interes publik”, ka thënë drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Komuna e Ferizajt kishte paraparë ndërtimin e dy shkollave në vlera milionëshe në prona me status të këtillë, por që nga maji punimet në to janë ndalur.

Sabri Murseli, drejtor i pronës në këtë Komunë, i tha KOHËS nëpërmjet telefonit se është iniciuar procedura për ta marrë sërish pronën nga AKP-ja.

Përveç Ferizajt, nga ky vendim janë prekur edhe Komuna e Suharekës, Gjilanit, Skenderajt, Junikut, Deçanit e Hanit të Elezit.

As në Qeveri dhe as në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, të martën nuk u përgjigjën pyetjeve të KOHËS për zgjidhjen që duhet dhënë problemit me këto prona.

E, në Han të Elezit situata është ndryshe. Punët në projekte nuk janë ndalur.

“Po realisht, parku “Isa Berisha” ka nisur implementimi i projektit dhe është duke vazhduar”, ka thënë Bajrush Laçi nga Zyra Ligjore në Han të Elezit.

Autoritetet lokale pretendojnë se prona është përshirë gabimisht në vendimin e Qeverisë, meqë ajo gjithherë ishte e Komunës së Hanit të Elezit dhe jo e AKP-së.

Edhe AKP-ja e ka konfirmuar të njëjtën gjë, e megjithëkëtë Qeveria nuk e ka korrektuar gabimin.

“Deri tani kanë kaluar 6 muaj e më shumë dhe deri tani Komuna e Hanit të Elezit nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë shkresë, asnjë vendim, asnjë konfirmim rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Laçi.

Pronat që me vendim të Qeverisë Kurti duhet t’i kthehen AKP-së, Qeveria Haradinaj ua kishte dhënë në shfrytëzim këtyre komunave para katër vjetëve.