Komunarët e Podujevës po synojnë që ta rregullojnë shfrytëzimin e palestrës sportive “Hakif Zejnullahu”. Për këtë qëllim, ata kanë hartuar një Rregullore, e cila është vënë në diskutim publik. Sipas këtij dokumenti, të drejtë shfrytëzimi të palestrës sportive kanë institucionet shtetërore, klubet sportive, organizatat politike, organizatat joqeveritare, bizneset, institucionet shkollore, universitetet, institucionet ndërkombëtare, si dhe grupet e tjera formale dhe joformale.
“Pas shfrytëzimit të hapësirave në palestër dhe zhveshtore, kujdestarët kontrollojnë hapësirat për të verifikuar gjendjen; Klubet dhe individët duhet të kujdesen për gjërat e tyre personale; Menaxhmenti në palestër nuk mban përgjegjësi për gjërat e humbura apo dëmtuara; Shfrytëzimi i palestrës bëhet me pagesë sipas tarifës së caktuar me këtë rregullore, përjashtim bëjnë vetëm subjektet e liruara. Pajisjet që përdoren në palestër nga sportistët duhet të jenë të përshtatshme me ambientin e palestrës. Përjashtohet rasti kur ka ndonjë marrëveshje të posaçme me DKRS-në”, thuhet në disa prej pikave të nenit 7 të kësaj draft-rregulloreje për mënyrën dhe kushtet e shfrytëzimit të palestrës sportive “Hakif Zejnullahu”.
Aty janë paraparë edhe ndalesat. E njëra prej tyre është pirja e duhanit.
“Ndalohet hyrja në parket me këpucë të papastra që lënë gjurmë; Shitja e rekuizitave, pijeve, ushqimeve dhe gjërave të tjera në objektin sportiv është e ndaluar; Klubet sportive duhet të sjellin orarin e tyre për shfrytëzimin e palestrës te menaxhmenti i palestrës; Fëmijët nën moshën 16-vjeçare duhet të jenë nën përcjelljen e prindit apo kujdestarit të tyre; Ndalohet hyrja me kafshë në palestër, përjashtim rasti kur kafsha i ndihmon personit me aftësi të kufizuara; Në zhveshtore nuk lejohet asnjë lloj i pijeve alkoolike, pijeve me ambalazh qelqi, ndërsa lejohen pijet freskuese të lojës”, thuhet tutje në nenin 7. “Ndalohet hyrja në palestër me biçikleta, skatebord apo çfarëdo mjeti tjetër transportues, përjashtimisht personat me aftësi të kufizuara; Ndalohet hyrja me armë, përjashtim bëhet vetëm për personat e autorizuar të sigurisë në detyrë; Ndalohet vendosja e posterëve dhe njoftimeve tjera, pa leje me shkrim nga ana e menaxherit të palestrës dhe DKRS-së”.
Në këtë dokument janë paraparë edhe ndëshkimet për ata që nuk iu përmbahen këtyre rregullave.
“Ndaj palëve të cilat nuk i respektojnë rendin shtëpiak dhe rregulloren do të merren masat ndëshkuese, suspendim i përkohshëm nga e drejta e shfrytëzimit të palestrës me kohëzgjatje deri në një muaj dhe nëse përsëritet më shumë se dy herë i njëjti veprim, atëherë i merret e drejta për shfrytëzim; Për dëmtimet eventuale të shkaktuara nga klubet apo subjektet e tjera përkatëse përgjegjësia bie te shfrytëzuesi i cili e ka shkaktuar dëmin, andaj kompensimet duhet bërë në afat prej 5 ditëve në xhirollogarinë e Komunës së Podujevës”, thuhet në këtë draft-rregullore. “Dëmet e shkaktuara vlerësohen nga komisioni ad-hoc prej tre anëtarëve të emëruar nga DKRS. Në rast të moskompensimit të dëmeve në afatin e paraparë sipas paragrafit 2 të këtij neni iniciohet procedura gjyqësore përmes përmbaruesit privat, duke përfshirë edhe kamatën ligjore, si dhe ndalesën për shfrytëzim deri në zgjidhjen e kontestit”.