Arbëri

Komuna planifikon gjelbërim e shtigje të ecjes në hapësirat skaj hekurudhave në Prizren

Komuna e Prizrenit ka shprehur interesimin që të marrë në shfrytëzim hapësirat rreth hekurudhave në këtë qytet, me qëllim që aty të krijojë gjelbërim e parqe, si dhe shtigje për ecje dhe për biçikleta. Sipas autoriteteve komunale, ndonëse për një gjë të tillë ishte arritur pajtimi paraprak me kompaninë publike “Infrakos”, nga drejtuesit e tij janë njoftuar se marrja në shfrytëzim e këtyre pronave duhet të bëhet përmes ankandit publik. Zyrtarët e lartë komunalë kanë shprehur bindjen për realizimin e kësaj nisme, pasi, sipas tyre, kostoja është më e lirë në krahasim me shpenzimet që bëhen për pastrimin e deponive ilegale përgjatë hekurudhave.

Në të njëjtën kohë kanë pohuar se mosmarrëveshjet që kanë buruar nga veprimet e qeverisjes në mandatet e kaluara janë tejkaluar, dhe se tani duhet adresuar edhe nevojat e banorëve të kësaj ane.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, ka pohuar se kontesti me “Infrakosin” ka qenë njëra prej sfidave gjatë punës për hartimin e Hartës Zonale, pasi që përgjatë vijës hekurudhore kanë qenë dy plane rregulluese, tek të cilat nuk është marrë parasysh distanca prej 25 metrave, dhe është vendosur që kjo distancë të jetë 8 metra. “Pas ndryshimeve dhe riorganizimit të Hekurudhave, kur janë ndarë ‘Infrakosi’ dhe ‘Trainkosi’, ‘Infrakosi’ e ka ngritur këtë çështje duke thënë se sipas ligjit distanca është 25 metra. Deri në atë kohë, DUPH-i ka lëshuar leje sipas Planit rregullues që ka qenë e paraparë 8 metra, ndërsa në ligj parashihet 25 metra. Ky ka qenë një problem, dhe pastaj me kryetarin kanë arritur një marrëveshje”, ka thënë Kizolli.

Ndërsa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se për këtë çështje kanë qenë 18 padi të “Infrakosit” ndaj Komunës së Prizrenit. “Në fillim të mandatit kemi pasur të bllokuar dhënien e lejeve për shkak të vendimit të gjykatës për pezullimin e Planit urbanistik të Komunës së Prizrenit. Pas kësaj kemi bërë një marrëveshje me ‘Infrakosin’ për pastrimin e këtyre hekurudhave. Pas pastrimit nga uzurpimet dhe deponitë ilegale, që janë krijuar përgjatë hekurudhave, unë kam kërkuar marrjen në shfrytëzim si komunë të kësaj pjese, që ta bëjmë gjelbërim, parqe, shtigje për ecje e biçikleta, etj. Kemi pritur që marrëveshja të bëhet, por pas një memorandumi që kemi nënshkruar, na kanë thënë se sipas Rregullores së ‘Infrakosit’ kjo duhet të bëhet me ankand publik”, ka treguar Haskuka.

Sipas tij, Komuna megjithëkëtë do të insistojë në këtë drejtim. “Njëra nga pikat është që sipas planit parashihet vetëm gjelbërim, shtigje, etj. Andaj s’besoj se dikush tjetër do të jetë i interesuar me marrë dhe me ba gjelbërim. Prandaj si Komunë me siguri do ta marrim, se neve prapë më lirë na del me pagu një qira për shfrytëzim të gjithë hapësirës përreth hekurudhave sesa pastrimi i saj si deponi ilegale në çdo dy-tre muaj, sepse pas çdo pastrimi prapë po krijohen deponi ilegale brenda zonës së hekurudhave. Shpresoj që do ta zgjidhim këtë shumë shpejt. Drejtori Urbanizmit ka bërë një projekt aty”, ka thënë Haskuka. Tutje ka shpjeguar se me Hartën Zonale parashihet që nga 2 metra në të dyja anët e hekurudhave, të mos ketë asnjë lloj intervenimi. “Ndërsa pjesa tjetër mund të shfrytëzohet. Për shembull te lagja ‘Jeta e Re’ kemi një kërkesë nga qytetarët që të shtrohet rruga me kubëza. Atë do të kemi mundësi me e ba, sikurse edhe intervenimet e tjera që nevojiten në infrastrukturë”, ka deklaruar Haskuka.

Zhvillimor Komunal i Prizrenit në vitin 2017 ishte pezulluar për të evituar dëmin e pariparueshëm ndaj hekurudhave, pasi "Infrakos" kishte ofruar dëshmi në gjyqësor se Komuna e Prizrenit një pjesë të pasurisë që është në emër të kësaj kompanie e ka tjetërsuar tek personat privatë duke iu dhënë leje të ndërtimit. Masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për pezullimin e PZHK-së ishte hequr nga mesi i vitit 2018, si rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe “Infrakosit”, ku kjo e fundit ishte tërhequr nga padia. Ndërkaq në fillim të vitit 2020, Prokuroria Themelore në Prizren pati njoftuar ngritjen e aktakuzës kundër pesë ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit dhe dy zyrtarëve të “Infrakosit” për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me pretendimet se katër ish-drejtorët dhe një ish-inspektor i Komunës së Prizrenit, si dhe dy zyrtarët e lartë të “Infrakosit” me veprimet e tyre kanë shkaktuar degradimin e pronës, si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, si dhe e kanë bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar kompanisë publike dëme materiale.

© KOHA.