Me qëllim të fuqizimit të grave dhe të rinjve nga zonat rurale, Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me Iniciativën e Zhvillimit të Bujqësisë së Kosovës (IADK). Gratë dhe vajzat e reja do të kenë mundësinë të ndjekin trajnime në fushën e ushqimit, dhe me pas të aplikojnë për grante deri në vlerë prej 12 mijë euro.
Ky projekt është për fuqizimin e grave dhe të rinjve nga zonat rurale përmes përfshirjes në bujqësi dhe përpunim të ushqimit.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kjo marrëveshje bashkëfinancimi është vazhdimësi e projekteve me IADK. Ai u zotua se do të mbështesin edhe projekte te tjera me qëllim të aftësimit për punë.
"Kjo me qëllim që të jemi pranë juve për hapjen e bizneseve, edhe t'i mbështesim bizneset e tyre. Dhe, sot këtu ne e nënshkruam një marrëveshje bashkëfinancimi me IADK. Do të vazhdojmë edhe tutje edhe me disa institucione të tjera qe do të nënshkruajmë marrëveshje të cilat do të jenë gjithsesi në interesin e juaj. Por do të angazhojmë edhe shkollat profesionale për ato profile të cilat i kemi dhe IADK nuk i ofron. Krejt kjo me qëllim që ne të jemi afër juve, në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe në mbështetjen financiare për hapjen e bizneseve. Sepse besojmë fuqishëm që është e vetmja rrugë që juve iu hap perspektivë që të punoni dhe të jetoni me pagën nga profesionet e juaja", ka deklaruar Idrizi.
Drejtori i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), Zenel Bunjaku tha se gratë dhe vajzat e reja që do të trajnohen do të pajisen me certifikata valide.
Edhe
Idrizi vlerëson se buxheti i Komunës së Vushtrrisë është i pamjaftueshëm
"Është ditë gëzimi së bashku me kryetarin e nënshkruam një marrëveshje, me të cilën edhe komuna është zotuar, por edhe IADK me donatorët e vet që të mbështes gratë, burrat dhe djemtë. IADK edhe me këtë marrëveshje, gjatë vitit 2022 do të zbatojmë tri marrëveshje në Komunën e Vushtrrisë. Çdo herë me fokus gratë. Konkretisht do të aftësojmë gratë dhe vajzat, për aftësim profesional në sektorin e ushqimit, ku të gjitha gratë që aplikojnë do të arrijnë të marrin certifikatën valide, e cila është e barabartë me shkollën e mesme sipas kornizës ndërkombëtare të kualifikimit. Grantet te gratë dhe te vajzat janë me vlerë prej 3000 euro, 2500 dhe 12 mijë euro", ka theksuar ai.
Gratë që aplikojnë për grantin në vlerë prej 12 mijë euro do të kenë mundësinë edhe për të hapur biznese./KSP