Arbëri

Lansohet projekti “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, fokusohet në tri komuna

Lansohet projekti “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi dhe zyra e UN Women në Kosovë kanë lansuar projektin “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA.

Në njoftimin e lëshuar nga zyra e UN Women në Kosovë, thuhet se ky projekt synon të adresojë barrierat strukturore që pengojnë fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale të Kosovës.
Më tej bëhet e ditur se projekti është i fokusuar në tri komuna - në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj.

“Për më tepër, kjo nismë synon përmirësimin e mjedisit institucional dhe angazhimin e komunitetit duke mundësuar zbatimin e veprimeve të përgjegjshme karshi çështjeve gjinore. Gjatë ngjarjes së lansimit, Ambasadori Austriak në Kosovë, Georg Schnetzer, deklaroi se gratë rurale janë ndër kategoritë më në nevojë në Kosovë dhe mbështetja është jetike për zhvillimin e mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka shprehur gatishmërinë e këtij dikasteri që të kontribuojë financiarisht në këtë projekt. 

“Gratë në zonat rurale janë kyçe për prodhimin bujqësor dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonave rurale. MBPZHR gjatë vitit 2023 ka subvencionuar më shumë se 4000 gra përfituese me rreth 8 milionë euro dhe ky projekt do të fuqizojë më tej gratë rurale”, ka thënë ai. 

Projekti do të zbatohet për një periudhë prej 30 muajsh.