Fisnik Minci
Komuna e Prizrenit, të mërkurën, ka reaguar lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit kundër drejtoreshës së Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, duke vlerësuar se kjo aktakuzë është ngritur për çështje teknike. Në reagimin e Komunës, thuhet se organet komunale dhe vet drejtoresha për këtë aktakuzë janë njoftuar nëpërmjet mediave.
“Së pari, vlen të theksohet se Zyra për Komunikim Publik të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë publike këtë aktakuzë nëpërmjet një komunikate për media, me një praktikë jo-etike dhe jo-profesionale, pa e dorëzuar zyrtarisht aktakuzën tek drejtoresha. Pra drejtoresha nuk ka pranuar ende zyrtarisht aktakuzën dhe është e njoftuar vetëm nëpërmjet mediave”, thuhet në reagimin e Komunës.
Tutje aty theksohet se: “sipas aktakuzës që është parë tek mediat, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës për shkak se nuk e përmbush detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose të detyrimeve financiare për vitin paraprak 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë ligjore”.
Komuna e Prizrenit ka shprehur qëndrimin se ky pretendim është i paqëndrueshëm.
nuk qëndron, afati i fundit për dërgimin e formularit për deklarim të pasurisë ishte 19 qershor 2020, ndërkaq drejtoresha në muajin mars këtë formular ia ka dërguar organeve përkatëse komunale, kurse edhe më 18 qershor e ka ri-dërguar të njëjtin dokument tek organet përkatëse komunale”, thuhet në reagim.
Ndërkohë mos deklarimin e të ardhurave mujore gjatë vitit 2019 nga ana e drejtoreshës së Arsimit, Komuna e Prizrenit e ka quajtur lëshim teknik.
“Ndërkaq, çështja tjetër për të cilën është ngritur aktakuza është mos deklarimi i të ardhurave personale të realizuara nga paga mujore që e ka marrë si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019. Këtu është paraqitur vetëm një lëshim teknik për shkak të mos plotësimit të një rubrike në formular, ku dihet se kjo pagë është e njohur për publikun dhe përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi, si dhe është e njëjtë për të gjithë drejtorët komunalë”, thuhet në këtë reagim.
Për këtë aktakuzë në rrjetet sociale ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka duke theksuar se drejtoresha Xhemile Thaçi Vezgishi ka dërguar emailin me formularin për deklarim të pasurisë në kohë.
“Ngritja e aktakuzës kundër saj tregon që kjo nuk ka asgjë të bëjë me ligjin por pjesë e kampanjës së orkestruar mediale. Fundja prokurori aktakuzën nuk ja dërgon drejtoreshës por mediave”, ka shkruar Haskuka.
Prokuroria Themelore në Prizren, të martën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishit, për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë përkatësisht të ardhurave. Sipas komunikatës për media të organit të akuzës, zyrtarja e lartë komunale nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë për vitin 2019 në afatin e paraparë ligjor dhe se në formularin e dorëzuar me vonesë nuk i ka paraqitur të ardhurat nga pagat mujore të vitit 2019, ku me këto veprime, e akuzuara, ka përmbushur elementet e veprës penale nga neni 430 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi nuk e pati komentuar aktakuzën kundër saj me arsyetimin se ende nuk e ka pranuar atë dhe se nuk ka njohuri për përmbajtjen e saj.
“Konsideroj se është një gjë shumë eklatante që mos të pranosh ndonjë njoftim zyrtar dhe të njoftohesh nga mediat apër ngritjen e aktakuzës”, pat thënë shkurt ajo.
