Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Mitrovicës sërish pjesë e “Projektit Socio”

Komuna e Mitrovicës prapë do të jetë pjesë e “Projektit Socio”, u njoftua nga kjo komunë. Të mërkurën në ambientin e Komunës së Mitrovicës, drejtori i Infrastrukturës, Naser Muja dhe drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, kanë mirëpritur në takim përfaqësueset e Preda Plus – German Cooperation, Rita Llulla, koordinatore për fushën ekonomike, Dafina Hoxha, udhëheqëse e ASB Kosova, si dhe Fjolla Godeni, zyrtare për prokurim dhe logjistikë. Ishte aty edhe Afërdita Tahiri nga OJQ “Mundësia” dhe Ermira Nici nga OJQ “CECD Friends” në Mitrovicë.

Qëllimi i këtij takimit ishte njoftimi për thirrjen për grante që do të bëhet për 11 komuna (përfshirë këtu edhe Komunën e Mitrovicës së jugut), ku 5 prej tyre do të fitojnë grante në shumën maksimale deri në 10,000.00 euro, varësisht nga projektet ideore që do prezantohen nga komunat.

Të pranishmit u njoftuan për detajet dhe procedurat e aplikimit dhe për punëtorinë që do organizohet gjatë muajit nëntorit 2018, ku do të bëhet prezantimi i projekteve ideore nga komunat pjesëmarrëse.

Pesë komunave përfituese do t’u barten mjetet në dhjetor të këtij viti, ndërsa afati për implementim të projekteve do të jetë 6 muaj nga transferimi i mjeteve.