Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Malishevës ndërmerr masat për parandalimin e koronavirusit

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sonte më 13 mars 2020, ka thirrur një mbledhje urgjente të Shtabit Komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19 dhe zbatimin e masave parandaluese ndaj këtij virusi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se në këtë takim, ishin të prezent edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Kujdesi i shtuar zvogëlon rastet e mundshme të infektimit. Ne kemi menaxhuar edhe sfida tjera me viruse, siç është EHKK, por pikërisht për shkak të kujdesit të shtuar, kemi arritur ta mundim atë virus, dhe besoj se edhe këtë situatë do ta menaxhojmë mirë, por ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar, por të mos bëjnë panik”, tha Begaj.

Gjithashtu thuhet se nga ky takim, u vendos që të zbatohen në përpikëri të gjitha vendimet e organeve kompetente shtetërore, të cilat u morën sonte, për pezullimin e aktiviteteve të caktuara, përfshi restorantet, kafeteritë, tregjet, qendrat tregtare, e po ashtu edhe administrata të punoj me staf të kufizuar.

“Edhe me këtë rast ju bë thirrje të gjithë qytetarëve që janë kthyer nga vendet e prekura, të njoftojnë organet përgjegjëse shëndetësore apo emergjente, si dhe të zbatojnë të gjitha masat e parapara për kujdes dhe vetizolim. Për këtë qëllim është formuar edhe ekipi mobil shëndetësor, i cili do t’i mbikëqyrë dhe kujdeset për këta persona”, thuhet në komunikatë.

Inspektorati dhe Policia, do të jenë 24 në shërbim për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve për masat parandaluese.

Artikuj të ngjashëm