Me ndërrimin e pushtetit në Komunën e Ferizajt, është ndërruar edhe lokacioni për ndërtimin e spitalit regjional në këtë qytet.
Para 10 vjetëve, PDK-ja pati vendosur që spitali të ndërtohej tek ish-tregu i kafshëve, por me të ardhur në pushtet LDK-ja e ka zhvendosur projektin te Parku i Lirisë, por tash që PDK-ja është rikthyer në pushtet, ka rikthyer edhe vendimin e vitin 2008, raporton KTV.
E, për këtë, opozita në këtë qytet ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor që ta kundërshtojë këtë vendim, pasi sipas saj, është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban të këtij qyteti.
Sipas ish-drejtorit të Shëndetësisë në Ferizaj, Burim Karameta, ky ndërrim po ndodh për interesa personale.
Sipas LDK-së, vend i cili është caktuar, ndodhet në një katrahurë urbanistike, e cila do ta vështirësonte punën në spital.
Edhe
MAPL: Plani zhvillimor komunal në Ferizaj s`mund të ndërrohet me automatizëm
Këtë iniciativë e përkrah edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila bashkë me LDK-në do ta kundërshtojnë vendimin edhe në Kuvendin Komunal.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se tenderi për ndërtimin e spitalit ka përfunduar, ndërsa tash janë në procedurë të lejes ndërtimore.
Sipas tij, ka qenë edhe Këshilli i Spitalit, i cili ka kërkuar të ndërrohet lokacioni për shkak se ai që e ka caktuar LDK-ja, ka qenë i papërshtatshëm pasi nuk ka kyçje të lehta për rajonin.
Aliu ka thënë se ndërtimi i objektit të spitalit do të fillojë këtë javë.
Edhe
Komuna e Ferizajt s`tërhiqet nga ndërtimi i spitalit me gjithë anulimin e vendimit
MAPL-ja, vendimin e Kuvendit Komunal e ka dërguar në MMPH, për të marrë mendim profesional.
Ndërsa ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, ka thënë për KTV-në, se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga departamenti ligjor.