Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni nuk miraton Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Supremes

Komisioni për Legjislacion nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kështu ky projektligj i ka shkuar seancës për diskutim në parim pa votën e komisionit, meqë opozita kundërshtoi ashpër, duke e quajtur atë projektligj që mbron krimin dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit me procesin e privatizimit.

Pesë vota ishin kundër, katër vota për dhe një abstenim. Pikërisht abstenimi i deputetit të Listës Serbe dhe mungesa e deputetit të Nismës Bilall Sherifi në kohën e votimit, bëri që ky projektligj të mos kalojë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e quajti të papranueshëm këtë projektligj, duke thënë se ende nuk është e qartë se cili do të jetë mandati i misionit të EULEX-it, në Dhomën e Posaçme brenda Gjykatës Supreme.

“Për Vetëvendosjen ky Projektligj është i papranueshëm edhe në aspektin procedural edhe në atë përmbajtësor. E para është ajo që tash ndryshon që vetëm një gjyqtar i vetëm duhet ta trajtojë një lëndë që ka të bëj me ndonjë kontest në aspektin e privatizimit, përpara kanë qenë kolegje dhe për mua kjo është goxha problematike sepse le edhe hapësira të korrupsionit, për shkak se shumë më lehtë është të ndërhyhet në vetëm një gjyqtar sesa në një kolegj prej tre gjyqtarëve”, tha Haxhiu.

Edhe Projektligji i ri për Dhomën e Posaçme privon palët nga shkallshmëria e ankesës Arbëri Projektligji i ri për Dhomën e Posaçme privon palët nga shkallshmëria e ankesës

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga PSD-ja, Frashër Krasniqi, e ka quajtur procesin e privatizimit, një prej proceseve më të dëmshme sa i përket rrënimit ekonomik dhe industrial të Kosovës.

Sipas tij, fakti që Dhoma e Posaçme futet në kuadër të Gjykatës Supreme dhe e ka kryetarin e njëjtë, e mohon të drejtën e palëve për apelim.

Pozita kërkoi miratimin e këtij projektligji, duke thënë se dikush duhet t’i zgjidh mbi 20 mijë lëndë që lidhen me AKP-në.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se me këtë projektligj mbrohen palët, derisa ka kritikuar kolegët e tij opozitarë për qasjen ndaj kësaj çështje.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, e quajti të domosdoshëm këtë projektligj. Derisa për analizën e procesit të privatizimit tha se mund ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme që të diskutojnë, por jo duke shqyrtuar këtë projektligj.

Edhe Kuvendi pa kuorum, sërish dështon të marrë vendime Arbëri Kuvendi pa kuorum, sërish dështon të marrë vendime

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se projektligji dhe AKP-ja, janë të ndara.

Ky projektligj ishte në diskutim në seancë të jashtëzakonshme plenare, por me marrëveshje grupet parlamentare vendosën që shqyrtimin ta bëjë Komisioni për Legjislacion. Ndërsa, pas shqyrtimit në Komision, projektligji do të dal në seancë plenare më 9 korrik.