Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni Evropian i hap rrugë Francës ta heqë veton mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë mjaftueshëm për ta merituar fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë të hënën ekzekutivi i BE-së, duke ia hapur rrugën Francës që ta heqë veton e saj mbi aspiratat e dy shteteve ballkanike.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka bllokuar fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën në tetor, kishte thënë gjatë muajit të kaluar se ai ishte i gatshëm t’ua lejonte këtyre dy shteteve nisjen e negociatave për anëtarësim, po qe se Komisioni Evropian u jep vlerësim pozitiv në mars.

Me t’u publikuar raportet e progresit të hënën, Komisioneri i BE-së për Zgjërim, Oliver Varhelyi ka thënë se dy shtetet i kanë reformuar ekonomitë e tyre, sistemet gjyqësore dhe fushat tjera, në përgatitje për përmbushjen e standardeve të BE-së, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

“Komisioni mbështet fuqishëm rekomandimin e vet për të nisur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Varhelyi përmes një deklarate. “Shpresoj që shtetet anëtare do të marrin vendim pozitiv rreth kësaj gjatë javëve në vijim”.

Qeveritë e shteteve anëtare të BE-së pritet të vendosin më vonë gjatë marsit.

Mund të duhet punë për t’i larguar shqetësimet në BE rreth ndikimit kinez dhe rus në gjashtë shtetet e Ballkanit, si dhe ndjesinë se blloku po dështon t’i transformojë këto shtete pas luftërave të viteve nëntëdhjetë në Ballkan.

Edhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim, optimist rreth Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut Arbëri Komisioneri i BE-së për Zgjerim, optimist rreth Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Macroni kishte refuzuar ta miratojë fillimin e negociatave për anëtarësim gjatë samitit në tetor, duke thënë se procesi i pranimit të shteteve të reja anëtare duhet të ndryshojë.

Komisioni gjatë shkurtit kishte sugjeruar reforma të procesit të anëtarësimit, përgjatë linjave të propozimit francez të bërë gjatë nëntorit, duke iu dhënë qeverive të BE-së më shumë ndikim, si dhe duke e lehtësuar ndaljen e negociatave si dhe ngrirjen e fondeve.

Danimarka dhe Holanda, që mbështetën Macronin, po ashtu pritet që të heqin dorë nga refuzimi, kanë thënë diplomatë të BE-së.