Komisioni Evropian ka deklaruar se po e përcjellin nga afër rastin e keqtrajtimit dhe të paraburgimit të opozitarit serb, Nikola Sanduloviq.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero ka thënë të martën se janë në kontakt me autoritetet përkatëse, duke shtuar se duhet të ketë qartësi “të plotë të fakteve rreth këtij rasti”.
“Kemi parë raportime në lidhje me paraburgimin dhe keqtrajtimin e supozuar të Sanduloviq. Po e ndjekim nga afër këtë rast dhe jemi në kontakt me autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara. Është e rëndësishme që të kemi qartësi të plotë të fakteve rreth këtij rasti. Presim që të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale dhe çdo pretendim i besueshëm për dhunë duhet të ndiqet efektivisht nga autoritetet kompetente”, ka deklaruar Pisonero.
Sanduloviqit i është caktuar masa e paraburgimi prej një muaji nga Gjykata e Lartë në Nish. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se Sanduloviq është arrestuar për veprën penale nxitje të urrejtjes kombëtare, racore e fetare.
Politikani opozitar serb është rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, në ndërtesën e BIA-s ditë më parë.
Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.