Arbëri

Komandant “Luani” thotë se në Speciale do të dëshmohet lufta e drejtë që ka bërë UÇK-ja

Nën përcjelljen e ish-luftëtarëve të tij, komandanti i UÇK-së u paraqit për intervistim.

Ramiz Qeriqi, komandanti i Batalionit të dytë “Ramiz Salihu” ka dëshmuar të martën para Prokurorisë së Specializuar për Kosovën, në zyrën e tyre në Prishtinë, raporton KTV.

I njohur me nofkën “Luani”, ai është paraqitur para prokurorëve për të dhënë dëshminë e tij për kohën sa ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E ka thënë që ky është nder për të.

Qeriqi beson që është i ftuar në cilësinë e të dyshuarit, ani pse kjo nuk specifikohet në ftesën që ka marrë nga Dhomat e Specializuara.

Ai është marrë në pyetje për më shumë se 7 orë.

Qeriqi do të duhej të udhëtonte në Hagë për të dhënë dëshminë e tij, mirëpo për shkak të problemeve me pasaportë, këtë e ka bërë në Kosovë.

Ramiz Qeriqi ka dëshmuar edhe më parë në Hagë për luftën që është zhvilluar në Kosovë. Ai ka dëshmuar në rastin e Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës.

Po ashtu, më 2003 ai është intervistuar edhe si i dyshuar nga Tribunali i Hagës.