Arbëri

Kolshi: Votimi për nënkryetarët e komuniteteve duhet të përsëritet dhe të bëhet në pako

Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të përsërisë votimin për nënkryeparlamentarët nga radhët e komuniteteve pakicë, dhe se nënkryetari serb si dhe ai nga radhët e komuniteteve të tjera, duhet të votohen në pako.

E ka thënë këtë tek ka komentuar masën e përkohshme që Gjykata Kushtetuese e vendosi për konstituimin e Kuvendit. Ai e ka vlerësuar të domosdoshëm masën e caktuar nga Kushtetuesja. Sipas tij, me këtë masë shmanget vakumi kushtetues dhe ruhet funksionaliteti institucional.

“Sipas IKD-së, gjithherë e kemi thënë që kjo situatë apo zgjedhja e nënkryetarëve sidomos atyre të komuniteteve duhet të ripërsëritet”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme ndaj konstituimit, pas ankesës së listës Serbe kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, nga radhët e komuniteteve pakicë gjatë seancës konstituive. Asnjë nga 9 deputetët e kësaj partie nuk ka marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar. E votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi. Paraprakisht, kryeparlamentari Dimal Basha ndau procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve. Pavarësisht dështimit për të zgjedhur një nënkryetar serb, Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.

Sipas Kolshit, janë pikërisht propozimet e Bashës që po shkaktojnë bllokada.

“Problemi po buron nga skenarët bllokues të propozimeve të kryetarit aktuale të Kuvendit që është praktikë e dëmshme dhe që s’i përket praktikës parlamentare të mëhershme”, ka thënë ai, duke shtuar se praktikat e mëhershme e bëjnë të qartë që kryetari votohet i vetëm, tre nënkryetarët shqiptarë në pako, dhe dy nënkryetarët e komuniteteve në pako.

“Çdo devijim nga këto praktika përbën shkelje të aktgjykimeve të Kushtetueses dhe praktikës së ndërtuar në konstituim dhe rrezikon precedent të dëmshëm dhe të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve në të ardhmen”, ka shtuar ai.