Për të 22-tën herë të martën ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca e ardhshme do të mbahet pas 48 orësh në një përpjekje tjetër për konstituim.
Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se vendi tashmë është në një krizë politike, derisa ka theksuar se secili deputet ka përgjegjësi të njëjtë për zhbllokimin e situatës.
“Jemi në një krizë politike kushtetuese e parlamentare. Kuvendi nuk po arrin të konstituohet dhe kjo është praktikë e re që na dërgon drejt krizës. Deputetët duhet të gjejnë rrugë”, ka thënë ai.
Sipas Kolshit, nuk ka përpjekje serioze nga asnjëra parti politike për marrëveshje që do të çonte në formimin e institucioneve. Megjithatë, ai ka shtuar se përpjekja më e madhe duhet të bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Padyshim që jo, përpjekja është dashur të vijë më seriozisht nga secili, me theks nga partia fituese pasi e ka obligimin për formimin e qeverisë më pas”, u shpreh ai.
Kolshi nuk sheh ndryshim edhe në rast se zhvillohet një votim i fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
“Nuk konsiderojmë se do të ketë ndonjë ndryshim eventual nëse votimi do të ishte zëvendësuar me votim të fshehtë, por ne bëjmë thirrje që të bëhet votimi siç është bërë gjithmonë”.
Ai ka thënë se është i nevojshëm edhe angazhimi i presidentes.
“Pritjes i ka ardhur fundit sepse kemi pritur më shumë se që duhet, konstituimi i Kuvendit është dashur të bëhet që ditën e parë. Presidentja e ka të drejtën ti adresohet Kushtetueses, por kemi edhe një aktgjykim të Kushtetueses që ka thënë se nuk është adresë e pyetjeve në këtë rast nga presidentja që shtrohen. Por situata e tillë është e jashtëzakonshme dhe ndoshta do duhej ta trajtonte pyetjet e saj”, ka përfunduar Kolshi.