Arbëri

“KOHA Ditore” festive – 96 faqe analiza, opinione e shkrime ekskluzive

KOHA Ditore në letër u kthehet lexuesve në numrin festiv. Në 96 faqet e saj lexuesit mund të lexojnë analiza, opinione e shkrime të ndryshme për politikën vendore e ndërkombëtare, arsimin, shëndetësinë, sportin, kulturën e drejtësinë. Ajo është shtypur tashmë dhe më 30 dhjetor do të jetë në duart e lexuesve.

KOHA Ditore festive vjen me numër special të shtypur në letër. Ajo tashmë është gati dhe do të dalë në shitje të premten. Në 96 faqe vijnë projeksione për vitin 2023; analiza e rrëfime nga vendi dhe e gjithë bota; kolumne e opinione sikurse edhe të veçantat e 60 personazheve që kanë karakterizuar vitin. Po ashtu, janë botuar edhe karikaturat e fotografitë më të mira të 2022-tës, si dhe albume nga bota e egër e Kosovës; enigmatikë e receta festive. Po jo vetëm kaq. Një ekip i madh ka punuar për këtë numër.

Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi ka zbuluar edhe të tjera detaje “Kohës Ditore” festive.

“Gazeta do të sjellë shumë materiale në cilësinë siç e kemi bërë çdo herë në Kohën Ditore të gazetarëve të sektorëve të ndryshëm me një qasje: jo vetëm për atë që ka ndodhur në vitin që po e lëmë pas, por edhe projeksion për atë që mund ta presim në vitin e ardhshëm. Ka tekste sikur analitike ashtu edhe reportazhe të bukura për vende të ndryshme të Kosovës për tema të ndryshme interesante nga Kosova dhe nga Bota, nga kultura, sporti, domethënë është një produkt 96 faqesh në letër me shumë zgjidhje për lexuesit për shije të ndryshme të njerëzve që duan ditëve festive të tyre në shtëpi ta kenë një gazetë e cila natyrisht na ka munguar të gjithëve”, ka thënë Rexhepi.

Personazhet e vitit, por edhe kolumnet prej opinionistëve të rregullt e edhe atyre ndërkombëtarë, janë pjesë e gazetës.

“Janë mbi 30 kolumne… Kemi kolumne edhe nga komandanti i KFOR-it, nga ambasadorë, një kolumne të veçantë e kemi nga zëvendësministri i Jashtëm i Çekisë, vend i cili e ka pasur Presidencën çeke gjatë së cilës edhe u hapën në Këshillin e BE-së diskutimet për liberalizim e edhe Kosova aplikoi për liberalizim”, ka bërë të ditur ajo.

Qytetarët e kanë mirëpritur lajmin për daljen në letër të numrit festiv të Kohës Ditore.

“Shtypi ditor është më se i domosdoshëm, unë habitem sesi nuk kanë gjetur mundësi, mirëpo zakonisht kam qenë lexues edhe më pëlqejnë sidomos opinionet e edhe pjesët e tjera gjithsesi”, ka thënë Kolë Ramaj.

“Normalisht po, moti s’e kemi parë. Jemi kureshtarë ta shohim gazetën e shtypur. Plaku me siguri është më shumë, se ai s’i përdor fort tabletat e telefonat”, ka deklaruar Ilir Krasniqi.

“Gazeta e shtypur e ka vlerën e vet. Është krejt diçka tjetër në krahasim me atë që e lexojmë në internet. Jam lexues i rregullt i gazetave, por tash e kohës janë më të kufizuara, mirëpo gazeta prapë është gazetë”, është shprehur Xhevdet Muçaj.

E përditshmja KOHA DITORE nisi të dalë më 1997-tën. Më 2020-tën botimi i shtypur u ndërpre duke kaluar në versionin online me parapagim, shkaku i krizës së pandemisë. Prej atëherë shtypen vetëm për edicione speciale.