Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rexhepi: Gazeta festive e KOHËS Ditore, me përmbajtje të veçantë

Kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ka deklaruar se gazeta festive e KOHËS Ditore do të përmbajë tekste të mirëfillta, të secilit sektor. Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se ky numër festiv përmban edhe kolumne të shkruara nga zyrtarë institucionesh, vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Një kolumne që do ta veçoja që është në këtë gazetë është e zv.ministrit të Jashtëm të Çekisë, që na ka përkrahur vazhdimisht neve gjatë luftës dhe tani sa e pati presidencën e BE-së. Gjatë këtyre muajve, Kosova avancoi mjaft edhe sa i përket liberalizimit të vizave dhe procedurave për anëtarësim. E kemi një kolumne të veçantë nga një zyrtar i lartë çek, që ka punuar në Kosovë”, deklaroi Rexhepi.

KOHA Ditore u ndalua se shtypuri kur në Kosovë nisi pandemia. Arsye e parë e ndaljes ishte si masë parandaluese e përhapjes së virusit, ndërsa e dyta është arsye financiare, ka thënë Rexhepi.

“Gazeta u ndal kur filloi pandemia. U ndal çdo lloj materiali i shtypur. Shpresojmë që gazeta do të kthehet, në një ditë, por ende dalim online. Gazeta dallon nga online. Bëhet një lloj filtri i temave dhe teksteve më të mira. Meqë në online mund të vendosesh sa të duash, gazeta e ka të kufizuar. Po e vërejmë edhe te gazetarët e rinj, asnjeri pothuajse s’e ka sensin e trajtimit të një teme ashtu siç e trajtojmë ne”, ka deklaruar ajo.

Rexhepi u shpreh se KOHA Ditore gjithmonë ka pasur ndikim të madh te publiku, ndërsa shtoi se temat e gazetës kanë nxitur diskutime në seanca të Kuvendit, në komisione dhe kanë iniciuar hetime.

“KOHA Ditore caktonte agjenda, kjo e ka mbajtur reputacionin e KOHËS lart. Portali e gëzon një trashëgimi të KOHËS. Po mundohemi ta mbajmë në atë nivel...KOHA Ditore ka shërbyer edhe gjatë luftës edhe pasluftës, për evidentimin e krimeve të luftës. Ajo periudhë çka jep KOHA, nuk mund të blihet”, ka thënë Rexhepi.

 

Artikuj të ngjashëm