Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“KOHA Ditore” festive vjen në letër, lexuesit e mirëpresin

KOHA Ditore në letër u është rikthyer lexuesve me numrin festiv. Në 64 faqet e saj, gazeta ofron rrëfime e analiza për ngjarjet që e shënuan vitin në politikë, arsim, shëndetësi, ekonomi, drejtësi, kulturë, sport e botë. Lexuesit që të shtunën e blenë shprehën pritjen për rikthimin e gazetës së shtypur ditore

Makina gjigante e shtypshkronjës i ndezi motorët këtë javë për t’u sjellë lexuesve fanatikë të KOHËS Ditore, numrin festiv të gazetës së shtypur në letër.

Në 64 faqet e saj, lexuesit nga sot mund të lexojnë rrëfime e analiza mbi ngjarjet që e karakterizuan vendin dhe botën përgjatë vitit, kolumne, opinione si dhe përmbajtje të tjera të punuara nga një ekip i tërë.

Shtypjen e gazetës pas një viti pauzë, kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, e ka kualifikuar si një rikujtim për letrën.

“E kemi sjellë edhe këtë vit të ri Kohën Ditore të shtypur në letër për ta rikujtuar letrën jo veç si formë, por edhe si përmbajtje. Për fat të keq Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka gazetë, e cila e përfaqëson një koncept të gazetarisë përtej atij të një mediumi tradicional në epokën e zhvillimeve teknologjike, e që më shumë ka të bëjnë me etikën, profesionalizimin dhe përgjegjësinë për atë që shkruhet e thuhet”, ka thënë Rexhepi.

E disa nga qytetarët që të shtunën u panë tek e blejnë “Kohën Ditore” festive, e mirëpritën shtypjen e saj, tek e shprehën pritjen për rikthimin e gazetës në letër.

“Realisht po na mungon se tash janë bërë krejt senet online. Unë më pak po e frekuentoj uebfaqen e KOHËS online. Më shumë kisha pasur dëshirë me e pas fizikisht sepse ka informata të ndryshme, ka lajme të ndryshme, pjesa e sportit më ka pëlqyer, po ashtu fjalëkryqin e kam plotësuar shpesh”, ka thënë qytetari Blert Gjinolli.

“Jemi larguar shumë nga mediat e shtypura përderisa po jetojmë në një botë tjetër teknologjike që mediat online dhe mediat televizive kanë përfshi gjithë skenën mediale. Ndërsa kjo sot mu duk diçka shumë interesante dhe po e them të drejtën qe një ndjesi shumë e veçantë dhe interesante që pikërisht për vitin e ri të kemi edhe një gazetë të shtypur në dorë”, ka thënë Vjollca Jashanica.

Ndue Marku, asistentmenaxher i njërës prej pikave të shitjes, tregoi se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për gazetën.

“Tani sivjet, përpos që është dita parë që e kemi gazetën, shitja është diku 57 copa vetëm në periudhën kohore në mëngjes. E kemi gjithë ditën, plus nesër. Është gazetë festive, realisht kemi një shitje shumë të mirë të tyre”, ka thënë Marku, asistentmenaxher në “Spar”.

Gazeta Koha Ditore doli për herë të parë më 1 prill të 1997-s, por shtypja e saj u ndërpre gjatë pandemisë Covid-19, shkaku i masave të Qeverisë. Megjithëkëtë, gazeta vazhdoi t’u ofrohet lexuesve në formë digjitale në portalin Koha.net. E që nga viti 2020, u shtyp vetëm për numra festivë të fundvitit.

Artikuj të ngjashëm