Monitorues të KMDLNj-së, në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë pas njoftimit se janë arrestuar personat të cilët dyshohen se kryen tentim-vrasjen ndaj Azem Vllasit.
KMDLNJ thotë se Murat Jashari ka pohuar të jetë arrestuar të hënën rreth orës 10:00 në Prishtinë.
Ai i pohoi KMDLNj-së se sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë shumë korrekte dhe nuk pati asnjë vërejtje.
Këshilli thotë se në Qendër të Mbajtjes ai është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit.
“M.J. i ka deklaruar KMDLNj se edhe terapinë që e ka përdorur para arrestimit, të njëjtën e merr edhe në Qendrën për Mbajtjes. Ai kishte problem me frymëmarrje dhe e përdorë aparatin sikur edhe probleme me depresion dhe për këtë ka trajtim të përditshëm”, thotë KMDLNJ në njoftimin për media.
Edhe i ndaluari tjetër, Avni Llumnica pohoi se ndaj tij ka pasur sjellje të mira dhe nuk pati asnjë vërejtje as në sjelljet e Policisë së Kosovës gjatë arrestimit, transportimit, marrjes në pyetje por as ndaj sjelljes së stafit të Qendrës së Mbajtjes.
Të dy janë njoftuar me të drejtat që u takojnë dhe aktualisht kanë të angazhuar edhe mbrojtës.
“Të intervistuarit kanë deklaruar se që nga arrestimi, ora 10.00, e deri sot në mëngjes atyre nuk u është ofruar ushqim ndonëse kanë kërkuar. Sipas rendit shtëpiak, në Qendrën e Mbajtjes darka servohet në ora 17:00 kurse të arrestuarit janë vendosur në ora 21.00”, thotë KMDLNJ.
Monitorues të KMDLNj-së vlerësojnë se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria.
KMDLNj vlerëson lart punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve jo-adekuate për punë.