Arbëri

Klinaku: Dënimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, vendim i padrejtë

Pas shqiptimit të dënimit nga Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e cila mori vendim që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të shpallen fajtor dhe të dënohet me 4.5 vjet burg, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL – UÇK, Faton Klinaku.

Ai ka thënë se ky vendim ka qenë i pritshëm, pasi sipas tij, kësaj gjykate i kanë rrjedhur skandalet nga zyrat e tyre dhe nuk është bërë hetim nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara.

Klinaku ka thënë se nuk presin drejtësi nga kjo gjykatë, sepse thekson se për ta ka qenë dhe është gjykatë politike, gjykatë e njëanshme e cila nuk merret me krimet e luftës, por merret me ndjekjen e shqiptarëve. Kjo sepse, sipas tij, po të merrej me krimet e luftës natyrisht që do të duhej të gjykoheshin krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë dhe serbët.

“Ne i kemi paraqitur para mediave ato dokumente, nuk e di pse edhe unë nuk jam me ta në burg sepse të gjitha i kemi bërë bashkërisht. As Hysni Gucati e as Nasim Haradinaj nuk kanë zbuluar dëshmitarë dhe këta po gënjejnë. Sepse, dëshmitarë nuk mund të quhen kriminelët serbë, komandantët e stacioneve policore që kanë qenë gjatë kohës së luftës në Kosovë që kanë bërë krime dhe masakra në Kosovë, nuk mund të jenë dëshmitarë të Gjykatës Speciale sepse ne e dimë që Serbia është armiku ynë dhe gjithmonë merret me shpifje. Por edhe një dëshmitar që këta e quajnë shqiptar që e kanë zbuluar këta, ai faktikisht e ka zbuluar vetën. Sepse ai ka thënë që ka qenë gjithmonë dëshmitar i Gjykatës Speciale.