Arbëri

Kina dënon “veprimet e njëanshme” të Kosovës në veri

Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Geng Shuang, ka dënuar, siç tha ai, “veprimet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, duke paralajmëruar se ato po nxisin tensione dhe po minojnë stabilitetin rajonal.

Në fjalimin e mbajtur gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Shuang u shpreh se situata në veri “ka qenë e luhatshme” dhe akuzoi Prishtinën për veprime që “cenojnë të drejtat legjitime të komunitetit serb”.

“Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur me mburrje disa institucione jetike për serbët, kanë shënjestruar serbët me bastisje të dhunshme dhe tashmë kanë hapur edhe urën e re mbi lumin Ibër. Këto veprime shkelin të drejtat legjitime të serbëve dhe nxisin tensione”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Kinës u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që “të shmangin veprime që rrisin përplasjet” dhe të përmbahen nga çdo hap që mund të përkeqësojë situatën në terren.

Ai theksoi se Pekini mirëpret dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se “thelbi i problemit qëndron te veprimet e njëanshme dhe të vazhdueshme nga Kosova, që krijojnë mosbesim ndërmjet komuniteteve”.

“Prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një garanci e fuqishme për zgjidhjen e çështjes”, shtoi Shuang, duke theksuar se qëndrimi i Kinës “mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar”.

Në fund të fjalës së tij, përfaqësuesi i Kinës ka thënë se vendi i tij “mbështet palët që të arrijnë një zgjidhje të dyanshme përmes dialogut dhe kompromisit”, duke nënvizuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Kina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

E, përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, ka hedhur pretendimet e zakonshme të këtij shteti mbi pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së që UNMIK-u duhet të mbyllet, Nebenzia ka thënë se kundërshton kategorikisht këtë për shkak të atyre që i quajti “rrethana të rënda” në Kosovë.

Lexo përditësimet tjera
okb

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

VIDEO: