Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kiçmari: Ambasadorët do të tërhiqen sepse u ka përfunduar mandati – nuk ka të bëjë me performancën e tyre

Sabri Kiçmari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në këtë ministri me tërheqjet e diplomatëve nga shtetet e ndryshme.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se bëhet fjalë për përfundim të mandatit të tyre 4-vjeçar dhe jo për performancën e tyre.

“Fjala është për ambasadorë që kanë qëndruar në detyrë më gjatë se 4 vite. Sipas ligjit për MPJ-në dhe shërbimin e jashtëm, ambasadorët politikë e kanë 1 mandat 4 vjeçar, pas së cilit u përfundon mandati. Ata pra, decidivisht, emërohen vetëm për një mandat. Disa prej tyre kanë kaluar në mandatin e dytë, e në dy raste në mandatin e tretë. Detyrë e Konjufcës ka qenë që të rishikohen dhe të vendoset ligjshmëria në këtë rast. Nuk është fjala për vlerësimin e cilësive të tyre, por për respektimin e ligjit. E dyta, në kulturën demokratike përfaqësuese në shoqëritë demokratike, mandatet janë të kufizuara. E kemi parë që edhe këtu ambasadorët amerikanë e përfundojnë mandatin, e vijnë ambasadorë tjerë. Është rrjedhë normale pas përfundimit të mandateve të tyre. Publiku duhet ta kuptojë që në shtetet demokratike, diçka e këtillë është e domosdoshme. Në diplomaci quhet lokalizëm përshtatja e tepruar me ambientin ku shërbeni – ka rrezik që ju do të afroheni aq shumë me ambientin e politikën ku shërbeni dhe të krijoni një distancë me shtetin të cilin keni shkuar ta përfaqësoni”, u shpreh ai.

Ai tha se secili prej 7 ambasadorëve të përmendur sot nga ministri Konjufca ka më shumë se 4 vite, dhe praktikisht e ka përfunduar mandatin e paraparë me ligj.

“Ministri dhe kabineti i ministrit Konjufca i vlerëson dhe i respekton punët e mira që ata i kanë bërë, por vendimi ka të bëjë me rivendosjen e ligjshmërisë dhe vendosjen e një praktike të re në respektim të ligjit edhe në nivel ambasadorësh”.

Edhe Kthimi ambasadorëve politikë, i propozuar nga MPJ-ja, pritet të zgjasë me muaj Arbëri Kthimi ambasadorëve politikë, i propozuar nga MPJ-ja, pritet të zgjasë me muaj

Kiçmari u ndal tek rasti i ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, e cila menjëherë pas marrjes së letrës ku kërkohej tërheqja e saj, tha se do ta pranojë këtë kërkesë.

“Zonja Çitaku është njoftuar sot gjatë ditës. Mund t’ju konfirmoj se zonja Çitaku është njoftuar përmes emailit para se të dalë njoftimi në publik. Nuk e di kohën e saktë, është çështje teknike kjo. Meqë fjala është për vendosje të ligjshmërisë, atëherë pas një analize të gjatë, s’ka qenë vendim i ngutshëm, është ardhur në përfundimin që nuk mund të shkohet më tutje në lejimin e shkeljes së ligjit të cilin e ka bërë dikush tjetër, pra vendimin e ka marrë dikush tjetër”, theksoi ai.

Ish-ambasadori i Kosovës tha se afati për kthimin e tyre në vend zgjat disa muaj.

“Afati për kthim për ambasadorë zgjatë me muaj. Do të precizohet afati, por jo më pak se tre muaj, t’ju jepet kohë për përgatitje. Edhe mua më janë dhënë 3 muaj për t’u kthyer. Nuk do t’i shmangemi këtij principi”, deklaroi Kiçmari.

Duke u ndalur tek çështja se kush e ka të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ambasadorëve e diplomatëve, këshilltari i lartë politik i ministri Konjufca tha se ministria e Jashtme bën propozimin për emërim apo shkarkim, gjë e cila i shkon presidentit më pas për aprovim. Ai tha se presidenti e bën vetëm aktin formal të këtij procesi.

“Sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës, Presidenti udhëheq me politikën e jashtme, por kompetencat e tij janë më shumë formale sesa funksionale. Është e saktë se presidenti e ngarkon dhe e shkarkon ambasadorin, por propozimin e bën MPJ-ja. Presidenti s’mund të vendos vetë për shkarkimin apo emërimin e një ambasadori, duhet të konsultohet me qeverinë. Qeveria bën propozimin, ndërsa presidenti bën aktin formal. Nuk e besoj që presidenti s’do ta nënshkruajë këtë kërkesë, pres që ai t’i analizojë me kujdes nenet mbi bazën e të cilëve ne jemi thirrur për tërheqjen e ambasadorëve në fjalë, pas analizës, jam i bindur se presidenti do të marrë vendimin e duhur. E çmoj shumë deklarimin e Çitakut që tha se do të tërhiqet dhe nuk do të hezitojë. E kam pritur një gjë të tillë nga ajo, është e përgjegjshme. E di ajo që e ka përfunduar mandatin. Ajo praktikisht e ka përfunduar vitin e katërt të mandatit në Washington. Ajo do duhej kthyer, megjithatë janë të rrallë ambasadorët që e vetë-iniciojnë kthimin e tyre pas përfundimit të mandatit. Unë e kam bërë një gjë të tillë sa isha në detyrë në Austri. Më ndodhi një situatë shumë absurde. Ambasadorët renditen sipas ditës dhe orës së akreditimit, dhe unë i kalova 5 vite mandat dhe i kalova tre ambasadorë amerikanë gjatë këtyre pesë viteve. Ngadalë u afrova te ambasadori i Kubës – 25 vite. I tregova ministrisë që duhet të largohem, por u befasuan edhe ministri edhe kryeministri, më thanë se mirë je”, u shpreh Sabri Kiçmari.

Ai sqaroi se janë dy lloje të ambasadorëve – ata të karrierës dhe ata politikë. Sipas tij, për ambasadorët politikë, MPJ-ja dhe Qeveria s’kanë kurrfarë përgjegjësie për ta pas përfundimit të mandatit.

“Kemi dy lloje të ambasadorëve – ambasadorë të karrierës që kanë hyrë në shërbimin e jashtëm përmes konkurseve, dhe ambasadorë politikë. Qeveria dhe MPJ-ja nuk kanë asnjë përgjegjësi për ambasadorët politikë. Ata e dinë këtë. Në fund të mandatit ata do të mbesin pa punë. Ata mund të konkurrojnë në rast të hapjes së konkurseve të tjera, por ne duhet të vendosim ligjshmërinë në vend për të mos e dërguar vendin në katrahurë për të mos ditur kush është politik e kush diplomat i karrierës. Duhet të vendosim rend për ta zhvilluar shtetin”, theksoi ai.

“Do të ketë edhe të tjerë të kthyer me përfundimin e mandateve të tyre. Do të respektojmë në mënyrë strikte ligjin. Ata ambasadorë e diplomatë tjerë të karrierës që e përfundojnë mandatin 4 vjeçar, duhet të përgatiten emocionalisht dhe shoqërisht që të kalojnë qoftë në mandate tjera ose të kthehen në Prishtinë, kurse ambasadorët politikë duhet të përgatiten që të gjejnë punë tjetër pas përfundimit të mandatit”, u shpreh Kiçmari, duke thënë se janë edhe 2-3 raste tjera që do të trajtohen ditëve në vijim.

Ai tha se Neni 7.8 i Ligjit për ministrinë e Jashtme dhe shërbimin diplomatik e thotë se mandati u përfundon pas 4 vjetëve, por tha se ky nen nuk është respektuar më parë.

“Ka qenë një praktikë në MPJ që të mos respektohen procedurat ligjore. Askush s’është marrë fort me këtë problematikë”, tha ai.

Kiçmari foli edhe për kthimin e 14 konsujve që janë emëruar jashtëligjshëm.

Edhe MPJ-ja e Presidenca me mospajtime për çështjen e tërheqjes së ambasadorëve Video MPJ-ja e Presidenca me mospajtime për çështjen e tërheqjes së ambasadorëve

“Për fat të keq, janë 14 vetë që janë identifikuar si persona që nuk i janë nënshtruar asnjë lloj procedure a konkursi, dhe janë emëruar për një apo tjetër arsye – s’dua t’i komentoj veprimet e qeverisë së kaluar, por vetë akti ynë pas një analize të kujdesshme të secilit rast veç-e-veç, ministri Konjufca ka ardhur në përfundimin se fjala është për një shkelje të vrazhdë të ligjit, për punësim të personave pa procedura normale në shërbimin e jashtëm”, deklaroi ish-ambasadori Kiçmari.


Kiçmari thotë se MPJ-ja synon të ulë kuotën e të emëruarve politikë në diplomaci

Sabri Kiçmari, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Glauk Konjufca dhe ish-ambasador i Kosovës në Australi, ka folur edhe për konsujt e përgjithshëm, 14 prej të cilëve janë kthyer në Kosovë me vendim të ministrit.

Ai në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se nuk në dijeni se ndokush nga këta 14 ka fituar pozitën me konkurs. Sipas tij, të konkurrosh nuk do të thotë të fitosh.

“Për shembull, konkurrojnë 50, pranohen 15, e ai mund të jetë mes 35 të mospranuarve që më pas emërohet”, ka thënë Kiçmari.

Ai ka thënë se ministria është e gatshme të merret me secilin rast veç e veç.

“Nuk është qëllim joni që të bëhen veprime kundër njërit apo tjetrit, emrat për ne fare pak na kanë bërë përshtypje, me rëndësi të vendoset ligjshmëria, do t’i përgjigjemi secilit veç e veç me të dhënat tona, vendimet janë marrë pas një analize të thellë”, tha Kiçmari.

Ai ka shtuar se vendi ka shumë profesionistë që mund t’i shërbejnë vendit, kur është pyetur se kush mund të jetë ambasador në SHBA, tash pasi Vlora Çitakut i është kërkuar të kthehet në Kosovë.

“Orientimi si ministri është që të arrijmë kuotën 50 me 50, siç është e paraparë me ligj, si orientim në afat të shkurtër mendojmë ta ulim kuotën politike në 30 për qind. Bindja ime është që sa më shumë Republika të investojë në kuadro profesionistë, do të jetë më e përfaqësuar në nivelin diplomatik”, tha ai.

Ai ka folur edhe për djalin e ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi që është i punësuar në ambasadën e Kosovës në SHBA. Tha se nuk ishte i njoftuar për këtë rast dhe se beson që është gjithçka në rregull, meqë ata që nuk ishin, janë urdhëruar të kthehen në Kosovë – gjithsej 14.

“Në rast se i është nënshtruar konkursit do të jetë në rregull, por në rast se nuk i është nënshtruar konkursit, sigurisht se do të merren masa, por nuk besoj”, shtoi Kiçmari.

“Bindja ime është që konsujt e përgjithshëm duhet të jenë diplomatë karriere”, shtoi ai.

Edhe Konjufca propozon tërheqjen e disa ambasadorëve, ndër ta edhe Çitakun Arbëri Konjufca propozon tërheqjen e disa ambasadorëve, ndër ta edhe Çitakun

Ka folur edhe për Xhamajkën, që doli se nuk e ka njohur Kosovën dhe për Sierra Leonen, që sipas Serbisë e ka tërhequr njohjen. Në rastin e Sierra Leones, tha se Serbia po e keqpërdor dialogun, duke u thënë shteteve të largëta se po bisedohet për statusin, e jo për normalizimin e marrëdhënieve.