Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka pyetur Qeverinë se kush duhet të japë përgjegjësi për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi të enjten ka akuzuar rëndë partinë e tij, pasi ka thënë se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Abazi ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajrami për rastin. E për këto pretendime, Abazi do të intervistohet nga Prokuroria.
Abazi thotë se ekzistojnë video që tregojnë “kush i zhduki mostrat e rastit Dehari”
Kica-Xhelili nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se mostrat e Deharit nuk janë vetëm dëshmi, por “janë zë për të vërtetën, zëri i tij”.
“Qeverisë e sidomos Ministrisë së Drejtësisë nuk mund t’i falet asnjë sekondë më tepër për çdo ditë që kalon pa këtë të vërtetë! Njësoj vlen për Institutin e Mjekësisë Ligjore e Prokurorinë. Ku janë mostrat? Ku janë inçizimet? Kush e ka ndërmend të japë përgjegjësi në këtë vend pa cinizëm përçarës politik?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se kjo mungesë e transparencës e gjuha përçarëse po e lëndojnë demokracinë.
“ ’Demokracitë nuk vdesin gjithmonë në errësirë. Ato vdesin me dritat e ndezura, nga njerëz të zgjedhur me mjete demokratike’ – thuhet në librin ‘Si vdesin demokracitë’, nga dy shkencëtarë politik të Universitetit të Harvardit. Kjo mungesë e transparencës; kjo gjuhë përçarëse e kjo mungesë absolute e dhënies së llogarisë po na lëndon demokracinë, hapur e me të gjitha dritat ndezur”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.