Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e LDK-ja kritikojnë Qeverinë se po keqpërdor politikisht rastin “Dehari”

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë kritikuar Qeverinë se po vazhdon ta keqpërdorë politikisht rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari. PDK-ja ka kërkuar që kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu të intervistohen për zhdukjen e mostrave të Deharit derisa, sipas LDK-së, Qeveria nuk është e interesuar ta zgjidhë këtë çështje

Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Prokuroria e Shtetit të intervistojë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dhe për këtë ishin pezulluar katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore e të cilët, sipas partive opozitare, tashmë janë kthyer në vendet e tyre të punës.

Në një konferencë për media, të hënën, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda, tha se Kurti e Haxhiu duhet të sqarojnë publikisht gjithçka rreth zhdukjes së mostrave të Deharit. Sipas tij, ato janë zhdukur nga organet që menaxhohen prej Qeverisë.

“Pse po heshtin karshi akuzave të tilla, karshi akuzave që i përfshijnë ata direkt në krimin e zhdukjes së mostrave. Pra, pse hesht Qeveria e Kosovës, pse hesht kryeministri Kurti dhe pse hesht zonja Haxhiu ndaj pretendimeve, pse nuk sqarohen cili është pozicioni i tyre?”, ka theksuar Gruda.

Gruda theksoi se rasti “Dehari” nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret politikisht.

Edhe PDK: Kurti e Haxhiu të intervistohen për rastin “Dehari” Arbëri PDK: Kurti e Haxhiu të intervistohen për rastin “Dehari”

Për rastin “Dehari” ka reaguar të hënën edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili.

“Dikush nuk deshi që ky rast të zgjidhej! Kush, nuk e di, por di që e gjithë kjo po ndodh tani! Në këtë qeverisje! Por, sot Qeverisë nuk po i pengon kthimi i zyrtarëve të IML-së. Nuk po i pengojnë ditët që po kalojnë pa u gjetur mostrat. Sot diçka ka ndryshuar. Duken më të qetë. Sikur më në fund, ajo që ndryshoi po i jep qetësi, edhe në qoftë se kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrë drejtësi”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Gjatë javës së kaluar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, akuzoi partinë e tij duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari dhe se Prokuroria duhet të marrë në pyetje edhe Kurtin e Haxhiun.

Abazi të martën do të intervistohet nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tij.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i ka thënë KOHËS ditë më parë se Kurti e emrat e tjerë të përmendur nuk mund të intervistohen pa u bërë kjo me Abazin për deklaratat që ka dhënë dhe pa i parë provat që ai posedon për çështjen.

Edhe PDK: Mostrat e Deharit humbën në duart e Haxhiut, dorëheqje dhe hetim Arbëri PDK: Mostrat e Deharit humbën në duart e Haxhiut, dorëheqje dhe hetim

Astrit Dehari është gjetur i vdekur në nëntorin e vitit 2016, derisa ishte në paraburgim me dyshimin se ishte pjesë e një grupi që kishte hedhur një granatë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit.

Prokuroria Speciale ende nuk ka dalë me përfundim nëse behët fjalë për vrasje apo vetëvrasje.