Arbëri

Deputeti Abazi intervistohet nga Prokuroria Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale të martën për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari. Ai ka thënë shkurtimisht se çështja tash i takon Prokurorisë, ndërsa s’ka folur konkretisht nëse ka deponuar ndonjë provë për dëshmitë e tij në rastin “Dehari”.

Abazi ka thënë se shkarkimi i tij nga dy komisione parlamentare është bërë me vendim të kryeministrit Albin Kurti dhe se është bërë “pikërisht shkaku i guximit të tij për të hapur tema të rëndësishme”.

“Ajo që them unë edhe si deputet edhe si qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme”, ka thënë ai.

Abazi më pas ka vazhduar me thumbime.

“Shkarkimi im si kryetar i Komisionit vjen për shkak të guximit tim për të çelë tema kritike për shoqërinë tonë. Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkuz. Ne kemi bërë gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend. Kjo që po ndodh tani, përfshirë edhe shkarkimin nga z. Kurti, është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë ai, duke refuzuar të tregojë kush është "palaçoja".

Në dhjetor të vitit të kaluar në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë zhdukur mostrat e rastit të Astrit Deharit. Këtë e kishte bërë të ditur vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Të enjten në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka deklaruar se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

Sipas tij, Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe disa persona të tjerë të lidhur me këtë ngjarje.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, nuk është lejuar të marrë pjesë në intervistimin e deputetit Abazi.

Gashi ka thënë se kjo është në diskrecion të prokurorit të rastit Afrim Shefkiu. Ai ka thënë se e ka deponuar një kërkesë për ta marrë arsyetimin për moslejimin e tij gjatë intervistimit.

Prokurorin Shefkiu, Gashi e ka akuzuar për mostransparencë për rastin dhe e ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e tij.