Akuza të shumta në drejtim të krerëve të partisë së tij, ka hedhur të enjten deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Ai ka akuzuar pushtetin, me në krye kryeministrin Albin Kurti, se duhet të intervistohen për zhdukjen e mostrave të aktivistit Astrit Dehari. Sipas tij, ka video që tregojnë se kush i ka marrë mostrat nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Akuza ka hedhur edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë të VV-së për “ngufatje të zërit të deputetëve”. Abazi ka akuzuar Kurtin edhe për vendimin për shkarkim të tij nga pozita e kryetarit të Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme
Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Ka thënë se kryeministri Albin Kurti e të tjerë duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.
Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.
Në konferencë, Abazi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
“Video-incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Hulumtimi im i fundit ka sjell te shkarkimi nga posti i kryetarit të Komisionit të Jashtëm dhe anatetimi brenda Vetëvendosjes. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti të mos ta thotë asnjë fjalë. Ne si shoqëri, si deputet, nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë për ta kryer këtë deri në fund. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi, i ka nxjerr mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera. IML-ja është 24 orë e monitoruar me kamera”, ka thënë ai në konferencë për media të enjten.
“Ka monitorim 24-orësh në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Mendoj se Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurtin, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti Dehari është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që kërkon drejtësi e platforma e VV-së ishte punë e drejtësi. Drejtësia duhet të dalë në dritë, të gjitha rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, ka thënë Abazi.
Ai ka thënë se videot e audiot “janë në dispozicion”, duke shtuar se ato janë punë e Prokurorisë.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Akuza për ngufatje të zërit të deputetëve
Akuzat e deputetit të VV-së nuk u ndalen vetëm me rastin “Dehari”. Abazi ka thënë se ekzistojnë edhe audio-incizime në të cilat, sipas tij, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe aktivistja e VV-së, Dejona Mihali, bisedojnë për ta ndalur zërin e deputetëve të pushtetit brenda Kuvendit.
“Janë audio-incizimet ndërmjet Bogujevcit, Kusari-Lilës dhe Mihalit ku bisedojnë për ngufatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit”, ka thënë ai.
Abazi ka thënë se aktivistja e VV-së nga Shqipëria, Dejona Mihali, është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvend dhe, siç thotë ai, mbivendos mbi çdo deputet. Kjo, sipas Abazit, bëhet me urdhër të kryeministrit Kurti.
“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty. Kam protestuar brenda strukturave të partisë dhe gjitha këto janë heshtur. Demokracia e Kosovës nuk mund të varet nga individë të autorizuar nga Kurti që ata të drejtojnë diskursin demokratik të vendit. Ky është shqetësim shumë më i madh sesa maja e ajsbergut në urdhrin për shkarkimin tim nga kryetari i komisioneve”, ka shtuar Abazi.
Abazi për Kusarin: Sabotimi i punës së Komisionit për punë të jashtme u zie nën “çadrën e Gaddafit”
Deputeti i VV-së tutje ka thënë se ka pritur reflektim nga partia pas “dështimit në zgjedhjet lokale”. Por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur. Ai ka thënë se krejt kjo është zier brenda “çadrave të Gaddafit”, duke aluduar në shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Abazi ka thënë se “çadra e Gaddafit” ka lidhje me sabotimin e punës së Komisionit për Punë të Jashtme, ku ai është kryetar e që në seancën e sotme të Kuvendit është iniciuar për shkarkimin e tij.
“Kam pritur që reflektimi do të ndodhë pas zgjedhjeve lokale. Është vazhduar me sabotimin e punës së Komisionit për punë të jashtme. Janë dalë informacionet dhe gjithë kjo është zier brenda ‘çadrave të Gaddafit’. Këtë valle e kemi parë në të kaluarën. ‘Çadra e Gaddafit’ ka bërë përçarje të deputetëve, ka shkatërruar parti politike, ka votuar marrëveshjet e dëmshme për interesin e Kosovës që dikur kanë qenë kauza të VV-së për t’u ndaluar. ‘Çadra e Gaddafit’ është nënshkruese e demarkacionit dhe unë si deputet nuk mund t’i subordinohem një agjende të tillë. Nuk mund ta pranoj këtë ngufatje. Në mungesë të mekanizmave të brendshëm brenda partisë, jam detyruar të ngre alarm. Kam të drejtë të kërkoj që ky avaz të ndalojë”, ka thënë Abazi.

“Dështime epokale të VV-së”
Haki Abazi, deputet i VV-së, ka thënë se pavarësisht deklaratave të tij, ai nuk do të jetë një votë për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Siç ka deklaruar Abazi, nuk do të jetë cak i dështimeve epokale të VV-së në këto dy vjet qeverisje.
Ai ka thënë se nuk është në interesin e askujt që ta rrëzojë Qeverinë, duke përmendur ish-të dërguarin e SHBA-së për dialogun, Richard Grenell e të dërguarin aktual për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Mendoj se çështja kryesore është se Kurti mendon se do të hidhërohem shumë dhe të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria pas dy vjetëve. Unë nuk jam votë kundër Qeverisë, nuk do ta bëj Qeverinë viktimë për t’u larguar. Opozita nuk mund ta rrëzojë, Grenelli nuk ekziston më, Escobari nuk mund të krahasohet me Grenellin, asnjë interes të vetëm nuk e ka askush racional ta rrëzojë Qeverinë. As unë e asnjë deputet tjetër me integritet brenda VV-së nuk është i interesuar ta rrëzojë Qeverinë. Nuk do t’ia jap kënaqësinë të bëhem target i askujt për dështimet epokale të dy vjetëve të fundit që i kam ngritur në alarm”, ka thënë Abazi në konferencë.
Ai ka theksuar se dështimi i VV-së në zgjedhjet lokale ka ardhur për shkak të përzgjedhjes së kandidatëve.
“Dështimi i VV-së në zgjedhjet lokale për shkak të kandidatëve të përzgjedhur, ia kam thënë me kohë kryeministrit. Zgjedhjet e brendshme, moslejimi i garimit të njerëzve, mbytja e demokracisë, dështimi në diplomaci, rrjedhimisht pozicionimi i partnerëve strategjikë, i aleatëve strategjikë kundër formës së udhëheqjes së dialogut dhe metodës si është vazhduar dialogu në dy vjet, që është i njëjtë me atë që ka ndodhur në 10 vjet. Nën tre, tensionimi i marrëdhënieve me SHBA-në është real dhe vije si rezultat i moskomunikimit, bredhjes kot në SHBA dhe lënies së Ambasadës në SHBA pa staf të mjaftueshëm. Nuk është faji i SHBA-së, por i yni që nuk kemi bërë mirë informimin drejt partnerit strategjik. E katërta është mungesa e plotë e reformave brenda institucioneve, sidomos lufta kundër krimit e korrupsionit. Këto kanë qenë katër çështjet. Nuk më është dhënë fjala në Kuvend dhe kam protestuar në forma të ndryshme. Dhe tani jam detyruar të dalë në media”, ka thënë Abazi.
Abazi ka ndërlidhur shkarkimin e tij edhe me deklaratën e president serb Aleksandar Vuçiq në Kuvendin e Serbisë për të.
“Çudia në fakt është që Vuçiqi, një fashist serb, ish-ministër i Informacionit të Millosheviqit, për dy ditë radhazi në parlamentin e Serbisë përmend emrin tim si deputet i parlamentit të Kosovës, për punën time që kam bërë për 10 vjet në Ballkanin Perëndimor si udhëheq i fondacionit të vëllezërve Rockfeller. Vetëm një javë prapa Kurti lëshon urdhër të më shkarkojë nga pozita e kryetarit të Komisionit për punë të jashtme. S’mund të ketë habi e koincidence më të madhe. Deklarimi i Vuçiqit ka qëllim të vetëm, të dëmtojë opozitën demokratike që është e paktë e minore brenda parlamentit të Serbisë, duke asocuar me emrin tim si shqiptar i deputet të Parlamentit të Kosovës. Si duket, kjo ka frikësuar njerëzit në Kosovë për punën, angazhimin dhe historinë e vërtetë kundrejt propagandës që është bërë për vite për punën time. Pikërisht nga mijëra profesionale të falsifikuar nga njerëz që përmenda në strukturën e VV-së”, ka thënë Abazi.
Në Vetëvendosje nuk kanë dhënë përgjigje për akuzat e Abazit. KOHA ka dërguar pyetje edhe në drejtim të përfaqësuesit të familjes Dehari si dhe te shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Kusari-Lila.
E avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i ka kërkuar Abazit që t’i dërgojë në Prokurorinë Speciale të gjitha prova që ai ka, pas deklarimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.