Prej tre muajsh, Këshilli Gjyqësor dhe as ai Prokurorial nuk kanë miratuar dhe as refuzuar dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve. Jozyrtarisht, në njërin nga këshillat thanë se vendimmarrja nuk diktohet nga dialogu Kosovë-Serbi. Por të kundërtën e thonë njohës të sistemit të drejtësisë.
Këshilli Gjyqësor i ka mbajtur 7 mbledhje e ai Prokurorial 5, prej nëntorit të vitit të kaluar, kur gjyqtarë e prokurorë serbë të veriut dhanë dorëheqje, konform thirrjes së Listës Serbe për t’i braktisur institucionet e Kosovës. Por ende nuk kanë vendosur që t’i pranojnë ose refuzojë këto dorëheqje.
Në asnjërin nga këshillat nuk i dhanë arsyet për mungesën e vendimmarrjes. Ndërkaq, në atë Gjyqësor, në kushte anonimiteti vetëm theksuan se vendimi nuk lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
Por të kundërtën e thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj. Sipas tij, Këshilli Gjyqësor, e edhe ai Prokurorial janë duke i pritur rezultatet e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përpara se të vendosin nëse duhet pranuar ose jo dorëheqjet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ të tyre.
“Do të ishte hipokrizi nga ana jonë që të mos e tregonim realitetin. Shihet haptazi se ky proces, kjo vendimmarrje lidhet drejtpërdrejt me procesin e dialogut Kosovë-Serbi... Në bazë të ligjit, në bazë të Kushtetutës, gjyqtarët e prokurorët pa dallim shqiptarë apo serbë do të duhej ta kishin integritetin e pacenueshëm e të pakontestueshëm dhe asnjëherë nuk do të duhej që të bëheshin pjesë e lojërave politike, pra pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.
Pasi serbët e veriut braktisën institucionet, përfaqësues ndërkombëtarë i bënë thirrje Beogradit zyrtar që të ndikojë në kthimin e tyre. Por në Kosovë është përsëritur qëndrimi se vendet e lëna bosh duhet plotësuar konform ligjit. Megjithëkëtë, në mungesë të vendimmarrjes nga këshillat, dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nuk konsiderohen përfundimtare.
Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës treguan se, si pasojë e dorëheqjeve, asaj i është ngarkuar barra me lëndë.
“Puna në Prokurori është vështirësuar duke pasur parasysh numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve dhe ngarkesën me lëndë, si dhe përfaqësimin e lëndëve në gjykatë. Me vendim të u.d. kryeprokurorit të shtetit, zt. Besim Kelmendi, janë transferuar përkohësisht tre (3) prokurorë nga prokuroritë e tjera. Stafi administrativ është riorganizuar”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.
Konkurs është hapur vetëm për anëtarin serb të Këshillit Gjyqësor, tre muaj pasi Kuvendi u njoftua zyrtarisht për dorëheqjen e Nikola Kabashiqit. Ndërkaq, Këshilli Gjyqësor ka konfirmuar nisjen e dy rasteve disiplinore: Ndaj Kabashiqit që është gjyqtar i dorëhequr në Divizionin e Apelit në Mitrovicë, dhe ndaj Liljana Stevanoviqit, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Pas zhvillimeve në veri, nëntorin e vitit të shkuar u dorëhoqën 25 gjyqtarë serbë dhe 119 nëpunës të tjerë gjyqësor, si dhe 10 prokurorë e 22 pjesëtarë të stafit administrativ.