Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këtë javë plani për lehtësimin e masave, Prishtina e Ferizaj kërkojnë të dalin nga karantina

Masat e vendosura kundër përhapjes së koronavirusit nga kjo e hënë janë lehtësuar në Shqipëri.

Përveç mundësisë për të dalë më gjatë nga shtëpia, ky vend ka lejuar që të punojnë edhe taksistët e edhe institucionet e drejtësisë, transmeton KOHA.

Lehtësimin e masave në javët në vazhdim ka vendosur të aplikojë edhe Italia, si një ndër vendet me më të prekur me Covid-19.

E një gjë të tillë pritet që ta bëjë edhe Kosova, e cila deri më tani ka mbi 760 raste.

Nga Ministria e Shëndetësisë, duke mos dhënë shumë detaje, kanë paralajmëruar hapjen e një pjese të bizneseve dhe lejimin e punës në sektorin e ndërtimit.

Zyrtarë të MSH-së për KOHËN kanë thënë se janë duke e përgatitur një vendim lidhur me masat e reja, e që pritet shumë shpejt të publikohet.

Disa komuna tash e sa javë vazhdojnë të jenë zona të karantinuara. Ndër to është edhe ajo e Ferizajt, e cila ka më së shumti raste me Covid-19, por që kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka kërkuar që të largohen nga karantina.

Ai thotë se situata në këtë komunë është e menaxhueshme.

Largim nga karantina ditë më parë ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Megjithatë, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi, paralajmëron për rreziqet eventuale të një veprimi të tillë.

Edhe Komunat mirëpresin paralajmërimin për lehtësim të masave Arbëri Komunat mirëpresin paralajmërimin për lehtësim të masave

E qytetarët thonë se ndonëse karantimi po u sjell probleme, kjo masë duhet të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje.

Largimin e kryeqytetit nga karantina e ka propozuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, e cila edhe ka kërkuar që të lejohet puna në sektorë që kanë rrezikshmëri të ulët të përhapjes së koronavirusit, siç janë ndërtimtaria dhe prodhimi.