Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këshilli i Sigurisë përfundon mbledhjen, gjithçka gati për reciprocitetin që nis të hënën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur të dielën mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku janë bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë, lidhur me vendimin për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Kosovës dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e indentifikimit personal nga Serbia.

Sipas njoftimit të kryeministrisë të dielën pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

“Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë. Afat ky që shtyhet deri më 31 tetor 2022. Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në njoftim.