Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria i përgjigjet “ndjeshmërisë së ndërkombëtarëve” për targat, shkallëzon sanksionet

Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk i respektojnë afatet e vendosura për kthim të targave ilegale në ato RKS.

Pas kërkesave të ndërkombëtarëve që afati i kthimit të targave ilegale në ato RKS të shtyhet edhe për dhjetë muaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur në mbledhjen e Qeverisë vendimin që sipas tij “është përgjigje për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

“Ato janë targa ilegale. Qeveria ka obliguar qytetarët t’i kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Pra me këtë rast me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e t’u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”, ka thënë Kurti duke arsyetuar propozimin.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se vendimi nuk po ndryshohet, por vetëm po shkallëzohet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se “nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, s’do të lejohet lëvizja e veturave të paregjistruara në targa RKS”.

Edhe Kryeministri Kurti e quan manovër të Serbisë çështjen e targave LAJMET E MBRËMJES Kryeministri Kurti e quan manovër të Serbisë çështjen e targave

Kurti ka thënë po ashtu se për propozimin e ri janë njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Kemi takuar pesë ambasadorët e QUINT dhe gjithashtu ambasadorin e BE-së me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë. Natyrisht që qëndrimi, ideja ka qenë që gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë që kjo është zgjidhja më e mirë. Patën disa pyetje dhe pastaj thanë që ju nevojitet të konsultohen me kryeqendrat e tyre për të dhënë mendimin e tyre për këtë vendim tonin”, ka thënë Kurti. “Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë, dhe ne mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Ne e dimë që në javën e parë të nëntorit, e kemi samitin e Procesit të Berlinit i cili do të mbahet për herë të parë me kancelarin Scholz, por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera me ndërkombëtarë sa i përket pozicionit të Kosovën në raport me BE-në dhe jo vetëm. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale e cila vjen nga fqinji yt verior kundër serbëve të Kosovë me që të gjitha këto na kanë bërë që zbatimin e vendimit kurrsesi të mos e shtyjmë, por ta përshkallëzojmë dhe sekuencojmë atë”.

Ndërkaq në panelin për dialogun Kosovë-Serbi, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka treguar se gjoba, në shkallën e dytë për moszbatuesit e vendimit për targa, do të jetë 150 euro.

Po ashtu Kurti ka bërë të ditur se shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, i ka ftuar kryetarët e komunave në veri për të diskutuar për energjinë elektrike dhe çështjen e targave.

Edhe Kurti: Serbia njohu targat RKS për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit Arbëri Kurti: Serbia njohu targat RKS për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit

Svçela ka thënë se s’ka arsye për eskalim.

Zbatimi i vendimit për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët dhe sulmeve të armatosura, Qeveria e pati shtyrë zbatimin, me kërkesë të ndërkombëtarëve. Afati përfundon më 31 tetor. E përkundër lehtësirave që u janë krijuar serbëve për konvertimin e targave nga ilegale në legale, deri më tani në Kosovë janë regjistruar vetëm 20 automjeteve me targa RKS.