Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KESCO: Qytetarët po ngrohen me rrymë, Qeveria s’i subvencionon më kursimtarët

Fatura e rrymes

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë se nuk ka pasur rritje të tarifave fundore të energjisë elektrike dhe se rritja e fundit e tyre, rreth 15 për qind në krahasim me të një viti më parë, është vendosur më 1 prill. Në një komunikatë sqaruese pas reagimeve të qytetarëve për fatura të larta të rrymës në dhjetor, KESCO-ja ka thënë se rritja është për shkak se konsumatorët po ngrohen me energji dhe mossubvencionimit nga Qeveria për ata që kursejnë energjinë, në krahasim me një vit më parë.

KESCO-ja ka kujtuar se konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, për shkak të blloktarifë. Po ashtu KESCO-ja ka thënë se vlera e faturës është rritur për shkak se vitin e shkuar Qeveria ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energjinë.

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Shih Vendimin e ZRrE-së. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

Dimrin e shkuar, Qeveria e Kosovës pati subvencionuar qytetarët që kursenin rrymë në krahasim me një vit më herët.

Sipas vendimit të ZRRE-së, të cilin e ka sqaruar KESCO-ja, konsumatorët familjarë nëse konsumojnë deri në 800kWh u nënshtrohen dy blloqeve – ditës dhe natën. Gjatë ditës çmimi është 7.79 centë për kWh, ndërsa natën (nga ora 22 deri në 7) rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 centë për kWh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh.

Edhe ZRRE: Qytetarët e prekur nga devijimet e njehsorëve do të kompensohen LAJMET E MBRËMJES ZRRE: Qytetarët e prekur nga devijimet e njehsorëve do të kompensohen

Pos qytetarëve, për faturat më të larta kanë reaguar edhe nga opozita. Politikanët opozitarë kanë fajësuar Qeverinë Kurti për faturat e larta.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë thënë për KOHËN se nuk kanë marrë ankesa nga qytetarët për tarifat e energjisë elektrike.

“ZRRE-ja, inkurajon të gjithë konsumatorët që ta kontaktojnë furnizuesin (KESCO), në qoftë se kanë shqetësime apo vërejnë parregullsi ne faturat e tyre. ZRRE-ja, ka një proces për ankesat e konsumatorëve që konsumatorët e përdorin gjatë gjithë kohës për zgjidhjen e çështjeve në lidhje me leximin e njehsorëve, faturimin, dhe çështje të tjera. Aktualisht, ZRRE-ja nuk ka pranuar ankesa te konsumatorëve për faturimin e këtij muaji”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Kjo zyrë ka ftuar qytetarët të kursejnë energjinë që të mos aplikohet blloku tarifor mbi 800kWh.

KEDS e KESCO: Ne nuk i vendosim tarifat e energjisë elektrike

KEDS dhe KESCO kanë kërkuar që të mos politizohet çështja e tarifave të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate kanë thënë se roli i tyre është të ofrojnë shërbimet për të gjithë qytetarët.

Edhe Shpërndarja e kostove në vitet e ardhshme shtyn përkohësisht rritjen e tarifave Arbëri Shpërndarja e kostove në vitet e ardhshme shtyn përkohësisht rritjen e tarifave

“Së fundi, KEDS dhe KESCO edhe një herë janë gjetur në qendër të grindjeve të vazhdueshme politike për përfitime politike ndërmjet partive politike rivale. KEDS dhe KESCO janë kompani private, që funksionojnë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, të cilat garantojnë të drejta dhe obligime për çdo ndërmarrje private brenda vendit. Qëllimi ynë primar është që të ofrojmë shërbime të besueshme dhe efikase të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike për popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

KEDS dhe KESCO kanë ritheksuar se ato nuk i vendosin çmimet. “Kjo është kompetenca e autoriteteve rregullatore, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga kompanitë tona. KEDS dhe KESCO u përmbahen në mënyrë strikte tarifave të përcaktuara nga këto organe rregullatorë”.