Të mërkurën mbrëma, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë miratuar një rezolutë, e cila shtyn përpara projektligjin, i cili kërkon nga sekretari i Shtetit që të merret me trajtimin e pakicave në Serbi, veçanërisht shqiptarët. Vendimi i kongresistëve amerikanë është mirëpritur në Preshevë
Kongresistët amerikanë kanë shtyrë përpara adresimin e diskriminimit të shqiptarëve nga Serbia.
Një ditë më parë, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme miratuan rezolutën, e cila hap rrugën që sekretarit të Shtetit t’i kërkohet përgatitja e një raporti mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, posaçërisht shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, në një deklaratë për KOHËN, e ka vlerësuar vendimin e komitetit si shumë të rëndësishëm, duke thënë se çështja e diskriminimit të shqiptarëve nga Serbia, tash është bërë pjesë e agjendës zyrtare të politikës amerikane.
“Miratimi rrit presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe përforcon zërin e shqiptarëve të Luginës dhe është dëshmi se angazhimi ynë politik, lobimi dhe vizitat e tona të vazhdueshme në Washingtonm në Senat e Kongres me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka filluar që të japë rezultate konkrete”, ka thënë ajo.
Sinani ka bërë një thirrje edhe për Bashkimin Evropian.
“Presim që Serbia të ndalë praktikat diskriminuese dhe të respektojë të drejtat themelore të shqiptarëve, në të njëjtën kohë BE-ja duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht dhe të lidhë respektimin e të drejtave të njeriut me proceset integruese të Serbisë. Diskriminimi nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon anëtarësim në BE”, ka shtuar ajo.
Rezoluta është propozuar nga kongresisti Keith Self, e të mërkurën mbrëma 43 e mbështetën, kurse katër dolën kundër.
Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, projektligji duhet të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve e më pas edhe nga Senati.
Projektligji kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.