Grupi aktivist, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka bërë thirrje për mobilizim shoqëror për të kërkuar drejtësi për Agon Zejnullahun, 27-vjeçari që vdiq pas arrestimit nga Policia në Lipjan.
Aktivistët kanë thënë se rasti i Zejnullahut nuk është i izoluar, teksa shtuan se edhe vetë përballen me dhunë nga policët kur ndeshen me institucionin.
Sipas tyre, vdekja e tij duhet t’i bëjë qytetarët që të organizohen.
“...ekspozimi tronditës i kësaj dhune që la të vrarë Agon Zejnullahun përveç që pahëson natyrën e dhunshme të policisë, është edhe një moment kritik për ndërgjegjen kolektive. Vrasja e tij, tashmë e regjistruar edhe vizualisht në kujtesën tonë, duhet të na bëjë të lëvizim, të organizohemi dhe t’i kundërvihemi dhunës e cila asnjëherë nuk është e rastësishme dhe e izoluar. Thërrasim në mobilizim shoqëror për siguri të gjithësecilës e secilit prej nesh, dhe për të kërkuar drejtësi post-mortum për Agonin”, thuhet në komunikatën e Kolektivit.
Në disa mure, përfshirë atë te stacioni policor në Lipjan, aktivistët kanë shkruar: “Policia e Kosovës të ndrydh deri sa të vret”, “Kush na mbron prej policisë”, “Policia të vret”, “Poshtë brutaliteti policor”, “Policia i ka duart me gjak”.
Pesë zyrtarë policorë po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” pasi mëngjesin e së hënës Zejnullahu vdiq pak pasi u arrestua me dyshimin se po sulmonte automjetet dhe kalimtarët në rrugët e Lipjanit. Për këtë rast janë ngrehur dyshime se deri në vdekjen e tij ka çuar dhuna e ushtruar nga policët mbi të.