Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) të mërkurën i është drejtuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin e respektimit të të drejtave të pesë zyrtarëve policorë që aktualisht ndodhen në ndalim për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik në Lipjan.
Në kërkesën e saj, SPK thekson disa çështje kyçe, “mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave themelore të zyrtarëve të ndaluar; vlerësimin e proporcionalitetit të masës së ndalimit, për të cilën Sindikata vlerëson se ishte e panevojshme dhe se ka pasur alternativa më të arsyeshme; parandalimin e stigmatizimit publik dhe gjuhës paragjykuese ndaj zyrtarëve; garancinë për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor dhe përkrahje për kolegët dhe apel për profesionalizëm”.
Që nga momenti i ngjarjes, Sindikata thotë se ka qenë aktive në përkrahjen e kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre.
Në një apel të drejtuar ish-zyrtarëve të Policisë, tashmë të pensionuar apo joaktivë, SPK-ja ka kërkuar kujdes në deklaratat publike, duke i ftuar ata të respektojnë Ligjin për Policinë dhe udhëzimet administrative, për shkak të ndikimit që fjalët e tyre mund të kenë në opinionin publik dhe në imazhin e Policisë së Kosovës.
SPK-ja thekson se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon drejtësinë, por mbetet e përkushtuar që çdo zyrtar policor të trajtohet me dinjitet, drejtësi dhe në përputhje me standardet ligjore vendore dhe ndërkombëtare.
“SPK – gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të zyrtarëve policorë”, përfundon reagimi.