Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka kërkuar fillimin e procesit të reformës zgjedhore.
Në një tryezë të mbajtur sot, Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së si udhëheqëse e koalicionit të OJQ-ve DnV, tha se edhe pse Kosova ka arritur standarde demokratike sa i përket organizimit të zgjedhjeve, dhe duhet të fillohet procesi për reformën zgjedhore.
Sipas tij, në kuadër të këtij procesi, duhet të krijohet kodi zgjedhor që përfshinë disa ligje që duhet të adresojnë problematikat e evidentuara në proceset zgjedhore të mbajtura deri tash, e në raportet që po i publikojmë sot janë të përfshira një pjesë e tyre. Kryeziu tha se këto rekomandime do t’i prezantojmë gjatë aktiviteteve që synojmë t’i bëjmë gjatë avokimit për reformën zgjedhore.
DnV dhe KDI prezantuan një raport dhe një analizë të shkurtër që trajtojnë në dy forma të ndryshme tematikat e tryezës. Në prezantimin e raportit ‘Dy raunde të zgjedhjeve lokale – dy lloje fushatash’, Eugen Cakolli, tha se në formatin e fushatës, dy raundet e zgjedhjeve shpërfaqën qasje të ndryshme nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre. Deri sa në raundin e parë kishte koncentrim më të madh drejt fushatës dixhitale, në raundin e dytë u shënua një rikthim i madh drejt aktiviteteve tradicionale.
“Me orientimin e fushatës drejt formatit tradicional është risjellë në pah dukuria e abuzimit me resurset publike për qëllime të fushatës. Kjo dukuri ka qenë dukshëm më pranishme në garën e balotazhit, duke u manifestuar përmes pjesëmarrjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecjeve nëpër sheshe, kryesisht gjatë orarit të punës. Po ashtu, evident ishte edhe përfshirja e ekzekutivit të nivelit qendror në garën lokale përmes ofrimit të mbështetjes për kandidatët e atij subjekti politik, duke ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ofrimin e ndihmës financiare nga Qeveria, që si fenomen ka cenuar parimin e garës së barabartë zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Sa i përket programeve politike, partitë politike u potencua që kanë luajtur një rol në përgatitjen e platformave të kandidatëve të tyre, ndonëse është ruajtur një autonomi e konsiderueshme e kandidatëve dhe degëve respektive në këtë drejtim, për shkak edhe të specifikave të ndryshme të komunave.
Vet përmbajtja e programeve apo planeve qeverisëse të kandidatëve ka avancuar ndjeshëm, me kalim tek projektet transformuese, si dhe duke u ofruar hapësirë të konsiderueshme politikave ambientaliste. Sa i përket gjuhës së përdorur nga kandidatët, ndonëse në nivel të përgjithshëm në raport thuhet se ajo ishte e balancuar, gjatë raundit të dytë, rastet e acarimit të gjuhës dhe ashpërsimit të diskursit mes kandidatëve kanë qenë mjaft të shprehura, sidomos gjatë debateve televizive.
Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Cakolli paraqiti rekomandimet konkrete të DnV-së për përmirësimin dhe avancimin e fushatave zgjedhore në Kosovë, duke përfshirë shumë dimensione të saj.
“Reforma zgjedhore duhet të përfshijë rishikimin e një sërë ligjesh, duke përfshirë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike si dhe eventualisht ligjeve tjera që preken nga ndryshimet në legjislacionin zgjedhor. Përveç aspekteve teknike, u potencua që reforma zgjedhore do të duhej të përfshijë edhe disa prej çështjeve politike dhe elementeve kyçe të vet sistemit zgjedhor”, thuhet në njoftim.