Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, në lidhje me propozimet e bëra për shtensionim të situatës në veri. Kurti tha se nuk ka kuptim të kërkohet koordinim paraprak për sundim të ligjit dhe se veprimet në funksion të tij s`mund të jenë speciale në veri.
Para çfarëdo mase të Kosovës në lidhje me sundimin e ligjit në veri, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar koordinim me EULEX-in e KFOR-in.
Kjo kërkesë e Borrell, nga njohës të drejtësisë, është duke u parë si tentim për zgjerim të kompetencave aktuale të misionit të BE-së në Kosovë
Një ditë më parë, në përgjigjen që ia ktheu kryeministrit Albin Kurtit për propozimin e bërë në lidhje me situatën në veri, Borrell kritikoi Kosovën që nuk ka konsultuar veprimet e saj për arrestimin e Milun Milenkoviqin.
“Sa i përket vlerësimit të mundshëm të përbashkët të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të arrihet depërshkallëzimi. Megjithatë, kjo nënkupton se ju do t’i merrnit opinionet nga EULEX-i dhe KFOR-i plotësisht dhe t’i trajtoni ata si partnerë, e cila po ashtu nënkupton koordinimin me ta paraprakisht. Theksojmë me keqardhje se kjo nuk u bë dje në rastin e operacionit në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e sundimit të ligjit në të ardhmen në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në letrën e Borrellit.
Avokati Skender Musa ka thënë se kjo kërkesë e përfaqësuesit evropian përbën tejkalim të kompetencave që EULEX-i e KFOR-i kanë në Kosovë.
“Në aspektin juridik tash për tash misioni i EULEX ka vetëm rol vëzhgues dhe nuk mund të përzihet në çështjet e arrestimeve apo në çështjen e gjykimeve pa kërkuar vetë Kosova ndihmë prej tij... Pa asnjë dyshim që kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e ashpër sepse po kërkohet të hiqet dorë nga një pjesë e sovranitetit në një territor bukur të gjerë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Musa.
Borrellit, të enjten, i është kundërpërgjigjur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se sundimi i ligjit është çështje e Policisë së Kosovës dhe se veprimi në veri nuk mund të jetë më special se sa në pjesët e tjera të vendit.
“Policia e Republikës e Lufton krimin e organizuar e zbaton sundimin e ligjit, si në veri si në jug. Nuk ka kuptim që për zbatim të sundimit të ligjit të ketë koordinim, paralajmërim, para se të ndodhë ligji. Sepse kjo i bie sundim me ligjin, ne jemi për sundim të ligjit jo për sundim me ligjin, mbi ligjin. Nuk duam t’i sipërvendosemi ligjit, ligji është mbi të gjithë ne”, ka thënë Kurti.
Në EULEX nuk u janë përgjigjur pyetjes nëse mund të pritet ndryshim në mandatin e tij në Kosovë, derisa nëse një gjë e tillë përfshihet në kërkesën e Borrellit, kanë kërkuar t’i drejtohemi zyrës së tij.
Në përgjigje, derisa renditen kompetencat që kanë, përmendet gatishmëria e BE-së që me Kosovës të diskutojë në detaje aranzhimet e sigurisë me KFOR-in dhe EULEX-in në katër komunat veriore.
Kompetencat e misionit të BE-së në Kosovë janë zbutur ndër vite.
Aktualisht EULEX ka për mandat monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të caktuara në sistemin e drejtësisë, ofron mbështetje teknike për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e shërben si reagues i dytë në fushën e sigurisë.
Në fillim të mandatit të tij në Kosovë, EULEX ka pasur kompetenca ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, në veçanti për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda.
Mandati i EULEX-it, që është dashur të përfundojë më 14 qershor të këtij viti, është zgjatur edhe për dy vjet të tjerë.