Loreta Keqekolla nga Koalicioni i organizatave që merren me çështjet e fëmijëve KOMF, ka thënë se Qeveria dhe SBASHK-u po i përmendin shumë pak dëmet që po ua shkakton greva fëmijëve.
E ftuar të martën në 60 Minuta të KTV-së, Keqekolla ka deklaruar se në gjithë diskursin publik për këtë çështje më së paku përmenden ata që janë më të dëmtuarit në këtë mes, fëmijët.
“Në gjithë këtë diskurs publik më së paku po përmenden fëmijët ose dëmet që po u shkaktohen atyre me ndërprerjen e mësimit. Kemi bërë thirrje te palët që të kenë konsideratë mbizotëruese interesin më të mirë të fëmijës. Konsiderojmë që nëse fëmijët do të ishin të parët në këtë rend deri më tani palët do të gjenin zgjidhje e jo ta fillojmë javën e pestë me grevë”, ka thënë ajo.
Keqekolla ka shtuar se KOMF ka kërkuar takime të ndara me të dyja palët e përfshira, por se janë takuar vetëm me ministren e Arsimit, ndërsa nga SBASHK-u nuk kanë marrë përgjigje.
“Që nga fillimi ne së bashku i kemi pasur qëndrimet e përbashkëta me Këshillin e Nxënësve dhe atë të Prindërve të Kosovës, kemi dalë me deklarata të përbashkëta. Kemi kërkuar edhe takime të ndara me të dyja palët, para disa kohe jemi takuar me ministren e Arsimit ndërsa nga SBASHK-u nuk kemi marrë përgjigje për takim”, ka thënë ajo.
Sipas Keqekollës shkollës dhe mësimdhënësve po u humb integriteti.
“Situata në arsim edhe ashtu nuk ka qenë e mirë viteve të fundit për shkak të pandemisë. Kjo do të lërë pasoja afatgjata”, ka shtuar ajo.
Keqekolla ka shtuar se po shihet një normalizim i situatës.
“Në njëfarë mënyre po normalizohet situata, gjatë ditëve të para po ngrihen të gjithë dhe pastaj po duket sikur gjithçka është në rregull dhe normale. Konsiderojmë që kjo është shqetësuese”, ka thënë ajo.